Gjuhë standarde apo në dialekt? Ish-banori i “Big Brother”: Mësuesit e gjuhës shqipe na kanë rrahur për…

Dialektet janë pasuri e gjuhës sonë dhe si të tillë janë të çmuar në të me të gjithë elementet e tyre. Krahas kësaj janë dhe një pikë që krijon “diferenca” mes veriut dhe jugut. Sa krenarë janë shqiptarët për dialektin dhe për origjinën e tyre?
A kemi ne diferenca me njëri-tjetrin kur bëhet fjalë për Geg e Tosk apo konsiderojmë vlerë çdo element gjuhësor.
Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin ishte ish-banori i “Big Brother Albania”, Qetësor Ferrunaj.
Ky i fundit u shpreh se kur u vendos për gjuhën standarde, erdhi edhe përçarja mes krahinave. Madje Qetësori kujton edhe periudhën kur ka qenë në shkollë dhe mësuesit e gjuhës shqipe i rrihnin nxënësit për një “ë”.
“E mbaj mend shumë mirë në shkollë, kur mësuesit e gjuhës na rrihnin në mënyrë barbare, për të shkruar ylli kur ne e thoshim illi se ashtu na e kishin mësuar të parët tanë”, tha Ferrunaj.
Ai shtoi se në shkollë fliste në mënyrë letrare, ndërsa kur shkonte në shtëpi fliste në dialekt.
I pyetur po tani si flet, Qetësori tha se “mundohem të flas në dialekt, por nga rrahja e madhe që kam pasur kam frikë”.
Ish-banori i “Big Brother” vijoi duke thënë se “hakmarrja e heqjes së dialekteve, solli edhe prishjen e teatrit kombëtar”.