Gjykata e Apelit përgjysmon dënimin për krime lufte ndaj një serbi të Kosovës

Gjykata e Apelit në Kosovë, tha të martën se ka përgjysmuar dënimin nga 22 në 11 vjet ndaj Darko Tasiçit, ish pjesëtar i policisë serbe, i cili u shpall fajtor në qershor të këtij viti nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile.

Në një njoftim të Gjykatës së Apelit thuhet se është miratuar pjesërisht “ankesa e mbrojtësve të të akuzuarit D.T” dhe se gjykata “ gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Më 22 qershor, një gjykatë në Prizren, e dënoi të akuzuarin Darko Tasiç, për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Krushë e Vogël të komunës së Rahovecit, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës në periudhën ndërmjet 25 e 27 marsit të vitit 1999.

Darko Tasiç ishte arrestuar në nëntor të vitit 2017 ndërsa në prill të vitit 2018 ai u akuzua nga prokurorët për “plaçkitje, shkatërrim me paramendim dhe krim kundër dinjitetit personal dhe njerëzor, shkelje këto të ligjit të vendit si dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.

Kosovë: Akuzë ndaj një serbi për krime lufte

Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paraushtarakët, gjatë të cilit, thuhej në njoftimin e prokurorisë “popullata civile u ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, ndërrimit të lokacionit dhe zhvendosjes, ushtrimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit/grabitjes dhe plaçkitjes së pronës, përdhosjes dhe shkatërrimit të trupave të viktimave të agresionit serb, të gjitha këto të kryera gjatë një periudhe dy ditëshe”.

I akuzuari dhe mbrojtësit e tij mohuan akuzat dhe u ankuan në Gjykatën e Apelit.

Mbi 110 burra të fshatit Krushë e Vogël, janë vrarë dhe trupat e shumicës janë zhdukur nga forcat serbe. Masakra në këtë fshat vlerësohet si një nga vrasjet më masive që ka ndodhur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Familjarët e të vrarëve e kishin cilësuar të ultë dënimin prej 22 vjetësh për Darko Tasiçin.

Në vitin 2012, misioni i Bashkimit Evropian hapi hetimet për masakrën në fshatin Krushë e Vogël. Atëbotë u tha se prokuroria i ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë vrasjen e gjithsej 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës.

Kosovë: EULEX-i heton krimet e luftës në Krushë të Vogël

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare, që mori fund 21 vjet më parë më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT