Hetimi/ Përveç Dick Marty-t, Shqipëria do të thërrasi edhe mjekun peruan që deklaroi se kishte përkthyes Lulzim Bashën

Komisioni Parlamentar për krimet serbe në Kosovë, pritet që të thërrasë si dëshmitarë përveç Dick Marty-n edhe hetuesin e prokurorisë së Hagës,m mjekun ligjor peruan Hose Pablo Baraybar, i cili pati deklaruar se ka pasur përkthyes të tij Lulzim Bashën.

Deputeti Myslim Murrizi në Komision kërkoi seanca dëgjimore me zyrtarë të viteve ’98 dhe ’99 në vendin tonë dhe deklaroi që tu dërgohet letër institucioneve të huaja përkatëse për informacione në lidhje me Dick Marty dhe Hose Pablo Baraybar.

“Nuk shoh ndonjë vështirësi për marrjen e informacioneve në Shërbimin Informativ të Shtetit. Të merren në pyetje zyrtarët e asaj kohe të vitit ’98, ’99, 2000, të cilët kanë qenë në qendër të vëmendjes në betejën politike të asaj kohe. Do të doja që të mos ktheheshim në një magazinë por të ndihmojmë zbardhjen e të hedhim dritë mbi faktet e akuzave të pabaza sipas mendimit tim jo në bazë të bashkëpunëtorëve, por në bazë të një raporti konkret. Do doja që në këtë komision të merret në konsideratë kërkesa ime. Të vijë ish-hetuesi Hose Pablo Baraybar. Të dimë se përse Thaçi bashkë me të tjerët janë në Hagë. Të gjithë deputetët me certifikatë sigurie kanë target që të marrin informacione. Sa i përket dy personaliteteve të huaja Dick dhe Hose Pablo është mirë tu bëhet letër institucioneve të shikohet e drejta”, tha Murrizi.

Ndërkaq, deputeti Alket Hyseni deklaroi se duhet të pyetet edhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë së vitit 2011 që përgatiti një liugj, që lejonte hetime brenda Shqipërisë të Eulex. Sipas Hysenit kjo është shkelje Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit.

Tek zyrtarët shqiptarë pritet të thirren qeveritarët e viteve 1998-1999, Pandeli Majko, ministri i Jashtëm i kohës, por edhe kreu i SHISH-it i atëhershëm, Fatos Klosi.

Kuvendi me vendimin nr. 71/2020 ka ngritur komisionin e posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë “Për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKiE Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-s në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Objekt i punës së komisionit të posaçëm është:

a) administrimi i dokumentacionit dhe konkluzioneve të nxjerra nga verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKiE Dick Marty;

b) hartimi i një raporti të plotë përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë këto institucione nga verifikimet e kryera mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-s në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT