‘Kemi 10 fëmijë të shtruar me Covid’, shefja e Pediatrisë Infektive: Në oksigjen janë futur të gjithë moshat, terapia është e njëjtë si tek të rriturit

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, Xhorxhina Kule ka treguar shifrat se sa fëmijë janë kuruar nga Covid dhe sesa janë të shtruar në spital.
Kule është shprehur se deri më tani janë kuruar nga Covid 70 fëmijë, ndërsa vijojnë të jenë të shtruar në spital 10 fëmijë të infektuar me Covid.
Mjekja tha se fëmijët e kanë kaluar më lehtë se të rriturit virusin, por ka pasur edhe nga ata që e kanë kaluar rëndë si ajo e foshnjes 16 muashe që humbi jetën, por edhe një tjetër, i cili ka qëndruar për disa ditë i intubuar, por fatmirësisht tashmë është mirë.
“Kemi 10 fëmijë të shtruar tashmë me Covid por që nga fillimi e deri më tani numri i fëmijëve me Covid të shtruar në spital shkon deri në 70 fëmijë. Kemi parë që forma të rënda koronavirusi ka bërë dhe të moshat e reja dhe e njëjta gje vlen të thuhet dhe te fëmijët me bronko-pneumoni. Kemi pasur një rast fataliteti te një fëmijë me 16 muaj.
Në oksigjen janë futur të gjithë moshat duke filluar nga një muajsh ne kemi hospitalizuar deri në 14 vjeç, ne kemi pasur dhe një fëmijë të intubuar në repartin e terapisë infektive dhe fatmirësisht pati ecuri të mirë dhe u shërua. Terapia që përdoret te fëmijët është e njëjtë dhe me të rriturit, ne përdorim antibiotiko terapinë, etj, ka dhe disa antibiotikë që ne nuk i përdorim në rastet e fëmijëve”, ka thënë doktoresha për ‘abcneës’.