Kolaudimi/ Gonxhe: Lehtësira për drejtuesit e automjeteve, por kujdes do ketë kontrolle më të rrepta

Prej disa ditësh nga qeveria është bërë publik lajmi se në fillim të 2021 do të ketë rregulla të reja për kolaudimin e automjeteve.
Ndërkaq ky proces pas 11 vitesh i besohet, shtetit dhe në mënyrë specifike Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ndryshimet parashikojnë lehtësi për drejtuesit e 630 mijë automjeteve.
Drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe sqaroi në ‘Wake Up’ lehtësitë që do të kenë drejtuesit e automjeteve.
“Me ndryshimet e bëra lejohet që makinat e reja të vijnë pas 3 vitesh në kolaudim, pasi nuk ka sens që makina e re të shkojë në kolaudim që vitin e parë.
Ne e dimë se kushtet e saj janë perfekte si automjet. Ne do të rrisim masat, disiplinimin, do kontrollohet në terren për stopa të thyer, probleme që janë të dukshme, që kanë të bëjnë më frenimin, xhamat e thyer, kushte teknike që kërkojnë për sigurinë rrugore. Do të jemi shumë më të ashpër, pra beso dhe kontrollo.
Sot ka mjete më të mira në qarkullim, kështu që na u pa nga statistikat që edhe prej pandemisë, edhe në një vit që shpresojmë të jetë post-pandemik, ulje radhe, ulje kohe, ulje angarish, duke bërë që edhe makinat taksi, autoshkolla, kamionët të vijnë jo më njëherë në 6 muaj, por njëherë në vit. Makinat e përdorura do të vijnë çdo dy vjet”, sqaroi ai.