Komisioni Ekonomisë miraton ‘Aktin Normativ’: Kur një person vritet nga Policia, familja merr pension të posaçëm (Precedenti i vrasjes së Klodian Rashës)

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, ka miratuar pak më parë ndryshimet e propozuara nga Qeveria përmes një akti normativ, në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore”.

Ky ndryshim parashikon se në rast të “vrasjeve aksidentale” nga Policia të një personi, familja merr pension të posaçëm.

“Ndryshimi me akt normativ ka si qëllim dhënien e një ndihme, me karakter të përhershëm, familjes së personit që humb jetën aksidentalisht si rezultat i veprimeve që një punonjës i organeve ligjzbatuese ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet ndër të tjera në ligjin e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.

Ky ligj mori shkas nga vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv policie, më datë 8 dhjetor.

“Familja, e cila ka humbur aksidentalisht pjesëtarë të saj, si pasojë e veprimeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës të organeve ligjzbatuese, përfiton trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social. Trajtimi i veçantë financiar dhe anëtari që përfiton në emër të familjes, përcaktohet me vendim individual të Këshillit të Ministrave dhe financohet nga buxheti i shtetit.

Sipas përcaktimit të mësipërm, familja e të ndjerit përfiton trajtim financiar në masën e tetëfishit të pensionit social (afërsisht 61 000 lekë në muaj) dhe është mbi nivelin e pagës mesatare duke kompensuar mungesën e të ardhurave për familjen nga humbja e jetës”, thuhet ndër të tjera në Aktin Normativ.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT