Kongresmeni Engel: Serbia është përgjegjëse për shumicën e krimeve të luftës, por nuk po vihet para drejtësisë!

Ekspertë të Ballkanit i bëjnë thirrje administratës së ardhshme të drejtuar nga Joe Biden që të shtojnë vëmendjen ndaj rajonit dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur problemet e mbetura.

Ballkani ishte në qendër të një seance të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, ishte edhe seanca e fundit për rajonin që drejtohej nga Kryetari i Komisionit, Eliot Engel që i ka kushtuar vëmendje Ballkanit për dekada me radhë.

Anëtarë të Kongresit amerikan, ish-zyrtarë dhe ekspertë të Ballkanit e vunë theksin tek sfidat e përbashkëta të rajonit dhe nevojën e angazhimit amerikan. Kryetari i Komisionit, demokrati Eliot Engel tha se Ballkani ka shënuar përparim, përfshirë në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

“Megjithëse kemi bërë aq shumë, ende mbeten çështje të pambyllura jo vetëm në ato dy vende, por në të gjithë rajonin, gjë që kërkon udhëheqjen amerikane dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë evropianë”, tha zoti Engel.

Një nga këto çështje është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kongresmeni Engel thotë se në thelb të saj është njohja e Kosovës.

“Ç’ka është më e rëndësishmja është që Serbia duhet të shohë përpara. Kosova është e pavarur. Nuk kthehet më kurrë. Sinqerisht, bllokimi i njohjes së Kosovës nga vende të botës dhe i anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara,veçse pengon Serbinë sepse kërkesa e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk do të miratohet derisa të njohë Kosovën”, tha zoti Engel.

Ndërsa zoti Engel theksoi se të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj luftës duhet të dënohen, ai shtoi se Serbia nuk po mbahet përgjegjëse.

“Duket se Serbia, pala përgjegjëse për shumicën e krimeve të luftës, nuk po përballet praktikisht me asnjë presion brenda vendit ose nga bashkësia ndërkombëtare për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. Në të njëjtën kohë, Kosova, viktima e luftës, është e detyruar të krijojë një gjykatë hibride me një prokuror dhe gjykatës ndërkombëtare”, tha ai duke shtuar se nëse do të bëhej fjalë për një vend si Danimarka, do të mendonim se diçka është shumë gabim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT