Kreu i Sindikatës zbulon sa paguhen policët në Shqipëri

Dy ditë më parë, ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se Policia e Shtetit në Shqipëri është më pak e politizuar edhe se në vende si Britania, Franca apo Holanda
Mirëpo, Sindikata e Policisë ngre shqetësimin për një sërë problemesh të tjera që shqetësojnë këtë kategori, si trajtimi nga ana sociale, ekonomike dhe profesionale, por edhe parregullsitë që kanë të bëjnë me Vettingun në polici.
I ftuar në “Wake Up”, kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta bëri të ditur se vetëm gjatë këtij viti, 210 policë kanë dhënë dorëheqjen nga detyra. Ai gjithashtu zbuloi sa paguhen punonjësit e policisë në vendin tonë.
“Shumë policë kanë dhënë dorëheqjen këtë vit, rreth 210, vitin e shkuar kanë qenë 260. Motivacioni është shumë i thjeshtë, arsye personale, familjare.
Por në të vërtetë, kategoria që janë larguar janë ata punonjës policie që kanë mbaruar kursin bazë 22 javë, kanë punuar 5 vjet. Më pas kanë mbyllur kontratën me akademinë, pasi brenda 5 viteve, nëse largohen kanë një gjobë.
Rroga mesatare e gjithë policisë është 660 mijë lekë, ndërsa paga bazë e 6 mijë policëve që janë me gradë inspektori është 400 euro. 500 e ka pagën për gradë punonjësi i policisë”, theksoi ai.