Kush ishin “të mëdhenjtë” e policisë që penguan dhe keqtrajtuan Marin Memën në Prilep (VIDEO)

Nuk ka kaluar pa pengesa dhe ndjekje nga strukturat policore të Maqedonisë, gjurmimi i Marin Memës në rajonin e Prilepit. Në emisionin e fundit që fliste për zhdukjen e shqiptarëve të Prilepit, Policia e Maqedonisë në dy raste ndaloi Marin Memën duke e penguar të xhirojë nëpër këtë qytet, që dikur banohej nga shqiptarë, përcjell in7. Në fillim Mema u ndalua dhe u legjitimua nga një patrullë policie, të cilët më pas e ndoqën dhe e shoqëruan gjatë tërë kohës derisa xhironte në Manastirin e Xërxës në rajonin e Prilepit.
Por, edhepse u duk se me kaq përfundonte ndjekja, në fund policë të tjerë e ndaluan Marin Memën dhe ekipin e tij, duke i kontrolluar detajisht automjetin dhe ata personalisht, pasi siç merret vesh nga biseda, dikush nga lartë i kishte lajmëruar dhe u kishte dhënë urdhër. Gjatë kohës që gazetari Mema po merrej me policët maqedonas, një polic shqiptar vjen në vendngjarje, i cili po bënte rolin e përkthyesit. Sipas fjalëve të policit shqiptar, kuptohet qartë se urdhrin për ndalimin dhe keqtrajtimin e Marin memës e kishte dhënë ndonjë shef policie nga lartë.
“Jаnë lajmëruar për t’i bërë kontroll kësaj veture… Prit pak, të lajmërohen ato më të mëdhenjtë me grada më të larta. Si të na thonë ashtu punojmë edhe ne”, dëgjohet të thotë polici shqiptar nga Prilepi, përcjell in7.
Kjo nuk është hera e parë që Policia e Maqedonisë pengon qarkullimin e lirë të Marin Memës në territorin e shtetit. Incidente të tilla kanë ndodhur edhe më herët./in7.tv/
Shikoni emisionin e plotë për të parë ngjarjen në fjalë: