“Lajm i madh”/ Yuri Kim reagon pas ngritjes së Kushtetueses: Urime popullit, Shqipëria pranë hapjes së negociatave

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka reaguar menjëherë pas emërimit nga ana e Presidentit të Republikës të gjyqtarit Përparim Kalo si anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese.
Diplomatja amerikane e ka quajtur një lajm të madh ngritjen e Kushtetueses, ndërsa thekson se tashmë Shqipëria tani plotëson 1 nga 2 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
“Lajm i madh. Presidenti Meta ka dekretuar Përparim Kalon si gjyqtar të 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Sapo Kalo të bëjë betimin nesër, do të ketë kuorum. Shqipëria do ta përmbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale- pas gati 3 vitesh. Presidenti, KED dhe Parlamenti kanë një meritë të madhe! Ky ishte një veprim urgjent nga udhëheqësit, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. Me një Gjykata Kushtetuese funksionale, Shqipëria tani plotëson 1 nga 2 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky është një hap gjigant përpara. Urime popullit të Shqipërisë! Le të vazhdojmë të ecim përpara”, shkruan Kim në Twitter.
Gjykata Kushtetuese aktualisht ka gjashtë anëtarë; Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj dhe Përparim Kalo.