Makolli: Ekzistojnë 16 lokacione ku ka varreza masive të shqiptarëve brenda territorit të Serbisë

Gërmimet e varrezave masive të shqiptarëve në Kizhevak të Serbisë ende po vazhdojnë.
Bëhet fjale për mbetjet mortore të shqiptarëve nga lufta e fundit në Kosovë, që dyshohet të jenë të personave që janë ekzekutuar, varrosur në Kosovë e më pas janë zhvarrosur për tu varrosur në Serbi.
Kryetari i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit, Ibrahim Makolli, ka thënë se ky është lokacioni i pestë i varrezave masive të shqiptarëve në Serbi dhe se Serbia po mundohet të t’i fsheh gjurmët e saj nga lufta e fundit në Kosovë.
“Kanë filluar me zhvarrim në këtë lokacion, ne po konsultohemi edhe me ekspertët tanë në vazhdimësi, janë pjesë e zhvarrimit janë ekspertët e mjekësisë ligjore, e natyrisht do të punohet deri në momentin kur ka kushte që të mos dëmtohen mbetjet mortore, në momentin kur të hetohet se kushtet atmosferike nuk lejojnë ose ndikojnë në dëmtimin e mbetjeve mortore atëherë ky lokacion do të konservohet e pastaj të rifillojnë punimet kur të ketë përmirësim të kushteve atmosferike”, ka thënë Makolli.
I pyetur se a ka lokacione të tjera që Kosova dyshon që Serbia po i fsheh këto varreza masive, Makolli është shprehur:
“Ekzistojnë 16 lokacione ku ka varreza masive të shqiptarëve brenda territorit të Serbisë, e kjo është varreza e pestë masive ku po bëhen gërmime. Ne tashmë kemi paraqitur kërkesën e kemi trajtuar disa prej lokacioneve në veçanti në rajonin e Rashkës dhe Novi Pazarit, të cilat lokacione i kemi vizituar në muajt e fundit , tashmë presim fillimin e fazës së dytë ku do të ekzaminohen dhe do të shihen se me të vërtet ekzistojnë mbetje mortore”, ka thënë Makolli.
Makolli ka shtuar se autoritetet e Kosovës për çdo ditë janë në terren në hulumtim të fatit të personave të zhdukur e këto angazhime nuk do të ndërpriten deri kur të gjendet edhe personi i fundit.
Ndërkohë ngadalësimi në procesin e zgjidhjes së rasteve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovës, nënkupton se mbi 1600 familje vazhdojnë të presin pafund për më të dashurit e tyre të cilët u zhdukën qe dy dekada.
