Marko Bello, politikani ndryshe që gëzoi respektin e kundërshtarëve

Marko Bello humbi betejën me flamën e këtij shekulli, koronavirusin. Për politikën shqiptare, ish-deputeti socialist ishte personi që gëzonte më tepër respekt nga të dyja kampeve të politikës, si nga e majta dhe e djathta.
Të shumtë ishin socialistët të vjetër e të rinj, deputetë që ishin në beteja të vështira kur PS ishte në opozitë dhe kur ishin në pozitë që u tronditën nga ky lajm, dhe dhjetëra e qindra mesazhe vërshuan për ndarjen e ish-kolegut të tyre nga jeta. Nuk munguan mesazhet as nga e djathta, si kryedemokrati Lulzim Basha apo dhe kryerepublikani Fatmir Mediu.
Bello e nisi karrierën në diplomaci. Në vitin 1997, ishte ambasador i Republikës së Shqipërisë në Rumani. Më pas angazhohet në politikë, me Partinë Socialiste duke pranuar ftesën e liderit të asaj kohe, Fatos Nano. Fillimisht merr detyrën e zv.ministrit të Mbrojtjes për t’u angazhuar në listat e PS-së në qarkun e Beratit.
Për tre herë radhazi ishte deputet i PS-së nga 2001-2013. Një politikan i moderuar që nuk i mëshonte politikës së konfliktit. I përkiste brezit të ri të politikanëve për të cilët PS-ja për kohën që po kalonte kishte nevojë.
Ai ka mbajtur poste qeveritare si Ministër për Integrimin Europian dhe Ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.
Me humbjen e PS-së në zgjedhjet e 2005-ës, si dhe me zgjedhjen e Edi Ramës në kryetar i kësaj partie, do të niste një betejë brenda socialistëve. Bello dhe një pjesë e deputetëve, që njiheshin pro Nanos, liderit historik të PS-së, ishin vënë në shenjëstër. Mbështet lëvizje LMN-në brenda PS-së, e krijuar nga Ben Blushi së bashku me Arben Malajn, Kastriot Islamin dhe një grup të tjerë deputetësh që kërkonin rregulla e respektim të statusit të PS-së. Ishte ky grup deputetësh oponenca brenda PS-së që do të ishte kundër vendimeve të kryesocialistit Edi Rama.
Në zgjedhjet e vitit 2013-të, Bello do të lihej jashtë listave të kandidatëve për deputetë të PS-së, duke shënuar kështu dhe largimin nga politika aktive. “Sot mësova se nuk do të kandidohem në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Shpresoj të mos i kem zhgënjyer; Gjithashtu u shpreh mirënjohjen time qytetarëve dashamirës dhe fisnikë të Beratit për mbështetjen dhe respektin ndaj meje. Ndihem i nderuar që i kam përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë për 12 vjet dhe dua t’i siguroj se mbetem në shërbim të tyre në vijimësi; Jam krenar se nga politika aktive nuk po më largon vota e qytetarëve, por kapriçioja e një tekanjozi, i cili, ata që populli i përzuri nga dera, po i fut nga oxhaku… Gjithsesi, u uroj socialistëve dhe progresistëve fitore më 23 qershor”, do të shkruante socialisti në një postim në Facebook.
Pavarësisht ofertave politike preferoi të qëndronte jashtë skenës politike duke qenë një zë kritik ndaj qeverisjes socialiste. “Ish-kryeministri Pandeli Majko paska deklaruar dje, gjatë një interviste në Top Story, se vendi ynë është me fat që ka në krye një kryeministër kokëderr! Sipas tij, në Shqipëri duhet të jesh kokëderr, kokëmushkë apo kokëfortë që të kesh sukses, përndryshe je i mbaruar. Çudi e madhe. Nuk paska rëndësi të jesh i ditur dhe i kulturuar, ta duash vendin dhe popullin tënd, të punosh në ekip dhe të jesh i ndershëm. Mbi të gjitha të kesh të shenjtë ligjin, të luftosh për lirinë dhe përparimin. Jo jo, duhet të jesh kokëderr. Kaq mjafton! Rroftë Republika e Kokëderrave!”, do të kritikonte Ramën, Bello me një postim në rrjetet sociale.
Vijoi punën e tij intelektuale, duke dhënë mësim si pedagog dhe duke u angazhuar dhe qenë pjesë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, si një nga themeluesit e këtij organizmi që përfshin diplomatë të shquar të shtetit shqiptar. Ambasadori Bello mbante gradën Doktor i Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (P.H.D), gradë shkencore që ai e ka fituar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Krajovës, Rumani.
Përpara se të emërohej ambasador, Marko Bello ka punuar për disa vite si korrespondent i agjencisë Reuters në Tiranë dhe Bukuresht si dhe radios britanike BBC. Pikërisht qenia si politikan nuk shndërroi plotësisht, madje ishte tejet komunikues dhe dashamirës me gazetarët dhe nuk i refuzonte asnjëherë “kolegët” në distancë.
Gazeta Shqip