Mbyllet dita e pestë e protestave në Tiranë, policia hedh ujë dhe gaz lotsjellës mbi qytetarët, dhjetra protestues shoqërohen në komisariate

Ka përfunduar protesta e ditës së sotme, ku qytetarët protestuan për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha dhe kërkuan dorëheqjen e drejtorit të policisë Ardi Veliu.
Në krahasim me ditët e tjera protesta kja patur më pak pjesëmarrës, por nuk kanë munguar përballjet e dhunshme me policinë, ndërsa edhe ditën e sotme nuk kanë munguar thyerjet e semaforëve, sinjalistikave rrugore dhe stacioneve të autobusëve.
Fillimisht protestuesit u mbblodhën në sheshin “Skënderbej”, aty ku filluan edhe përplasjet e para me forcat e rendit, të cilët kërkonin t’i shpërndanin për shkak se nuk lejohen grumbullimet më shumë se 10 persona.
Më pas qytetarët u zhvendosën te Drejtoria e Policisë së Tiranës, aty ku protesta u bë edhe më e dhunshme dhe filluan arrestimet e para. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit, të cilët më pas u nisën drejt “Zogut të Zi”, por edhe aty nuk u lejuan.
Protetsa përfundoi aty ku nisi, në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën për herë të fundit dhe u shpërndanë për në banesat e tyre, ndërkohë që një numër i madh qytetarësh u shoqëruan në komisariate.
Nuk dihet nëse edhe ditën e nesërme do të ketë sërish protesta, por qytetarët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e Ardi Veliut.