Meta takim online me eurodeputeten Santos dhe ambasadorin Soreca: Do bëj çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve

Presidenti Ilir Meta ditën e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedim me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeten Isabel Santos, dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, zotin Luigi Soreca.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta ka falenderuar Santos për projekt rezolutën për Shqipërinë me vëmendje të veçantë tek zgjedhjet e ardhshme, shpopullimi dhe liria e medias.
Ndër të tjera Kreu i Shtetit thekson se do të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit.
“Kënaqësi të zhvilloja sot një bashkëbisedim të sinqertë e miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeten Isabel Santos, dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, zotin Luigi Soreca.
Një falenderim i veçantë për zonjën Santos, për vëmendjen e posaçme që i ka kushtuar në Projekt Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cënimit të lirisë së medias në Shqipëri.
E sigurova se si President i Republikës do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Integrimi europian i Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërtimit të shtetit ligjor me institucione të pavarura dhe funksionale,” shkruan Meta.