Meta vijon ‘sulmet’ ndaj qeverisë për buxhetin e 2021: Do dyfishohen pagesat për PPP-të, miliarda lekë që duhet të shkonin për Covid-19

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, vijon sulmet dhe denoncimet për buxhetin e 2021, të cilin e ktheu në Kuvend, por dekreti iu rrëzua me shumicë votash.
Sipas Kreut të Shtetit, në këtë buxhet parashikohet të rriten dyfish pagesat për PPP-të, nga 7.9 në 14.5 miliardë lekë.
Presidenti bën thirrje që të shkurtohen pagesat për PPP-të dhe të shtohen fondet për grupet më të prekura nga koronavirusi.
Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë të gjithë ishin kundër dekretit të Metës për kthim në Kuvend të projektligjit, që sipas tyre ka prapavijë politike, dhe presidenti nuk mund të shërbejë si bllokues i buxhetit, përveç deputetit opozitar Artur Roshi që votoi pro, raporton newsbomb.
Tashmë dekreti i Metës për buxhetin 2021 do të kalojë dhe tek ligjet dhe më pas në Kuvend. Meta së bashku me drejtorin e kabinetit presidencial, Edmond Panariti, dhanë një sërë arsyesh se pse buxheti duhej të rishqyrtohej sërish nga Kuvendi.