Misteri i ‘pistoletës së Klodianit’ që tani del ‘e paidentifikueshme’. A ishte një tentativë për të manipuluar opinionin publik? Si u gjet ‘brenda një pellgu me ujë’ natën në errësirë?

Në një nga deklaratat e para të saj mbi vrasjen e Klodian Rashës, policia tha se viktima kishte armë. Më pas u deklarua se armën e kishte hedhur.
Fillimisht u tha se arma ishte pranë trupit të viktimës, më pas se ishte 100 metra larg dhe më pas kjo distancë u rrit në 300 metra.
Familja dhe shoklt e Klodianit betohen se ai kurrë nuk ka prekur armë me dorë. Ata kanë dyshime të forta se “arma e Klodianit” është një përpjekje e policisë për manipulim të rrethanave të ngjarjes për të justifikuar vrasjen në sytë e opinionit publik.
Sot policia ka deklaruar se “arma nuk mund të identifikohet” nëse është përdorur ose jo nga Klodian Rasha, pasi “është gjendur e hedhur në një pellg uji”.
“Megjithëse kjo armë e sekuestruar nga polici me inicialet F.A, është çuar për ekzaminim të gjurmëve të gishtave, ekspertët ende nuk kanë gjetur gjurmë të saj, për shkak se pistoleta ka qëndruar e zhytur në pellgun me ujë dhe për pasojë ka humbur elementët e identifikimit të gjurmëve të gishtave” – thuhet në lajmet e përhapura sot me burim Policinë e Shtetit.
Policia deklaroi se “pistoleta është gjetur disa minuta pas ngjarjes nga punonjësi i policisë me inicialet F.A. pas krehjes së zonës që ka bërë policia, duke verifikuar çdo metër ku kishte kaluar Klodian Rasha”.
Është e vështirë të kuptohet si mundi policia të bënte “krehje” dhe të gjente armën “në një pellg me ujë” natën në errësirë.