Në restaurim emblema e qytetit verior
KËSHTJELLA E ROZAFATIT

“Rozafa” ka hyrë në fazë restaurimi, ku veçohet ringritja e fragmentit të murit, të pjesës lindore të kalasë emblematike në veriun e Shqipërisë.

“Kalaja e Rozafës është kurora dhe emblema e qytetit të Shkodrës. Tashmë ka nisur puna në zbatimin e projektit për ringritjen e fragmentit të murit, në pjesën lindore të Kalasë. Në hartimin e këtij projekti, specialistët e DRTK Shkodër janë konsultuar me dokumentacionin arkivor fotografik, sipas të cilit, kjo pjesë muri rezultonte e dëmtuar që nga fillimi i shek. XX. Kishte ardhur koha e restaurimit, si për të siguruar monumentin, ashtu edhe nga ana estetike” ka theksuar, minsitrja e Kulturës.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi kodrë që rrethohet tre lumenjtë: Drini, Kiri dhe Buna. Muret e saj, rrethojnë pjesën e sipërme të kodrës ku ajo ndodhet kjo kala. Kalaja e Rozafës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948. Gjurmët e mureve të kësaj kalaje ilire, datojnë që nga shekulli I-III, para Krishtit.
Legjenda e Rozafës
“… I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tanë. Tri ditë e tri net kjo mjegull mbeti aty. Mbas tri ditësh e tri netësh nji erë e hollë fryu e e naltoi mjegullën. E naltoi dhe e shpuni deri në kodrën e Valdanuzit. Aty maje kodrës tre vëllazën punoshin. Ndërtoshin nji kështjellë. Po, murin që naltoshin ditën u prishej natën, e kësisoj nuk e naltonin dot.
Na kalon aty nji plak i mirë.
– Puna e mbarë, o tre vëllazën.
– Të mbarë paç, o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë? Ditën punojmë, natën na shembet. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë: çka të bajmë që t’i mbajmë muret më kambë?
– Unë di – u thotë plaku ~ po drue me jua thanë se a’ mëkat. Atë mëkat hidhe mbi krytin tonë, se na duem ta qëndrojmë më kambë nji këtë kështjellë.
Plaku i mirë mendohet e pvet: – A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri varzat e jueja?
– Të martuem jemi – i thonë ata. – Edhe të tre i kemi varzat tona.
Na thuej pra ç’të bajmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë?
– Në daçi m’e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, në shpi mos kuvendoni për fjalët që do t’ju thom unë.

Atë prej të tri kunatave që do të vijë nesër bukë me ju pru, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me zanë vend e me qëndrue për jetë e mot. Tha kështu plaku e shkoi: njitash u pa, njitash s’u pa.
Medet! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën. Kuvendoi në shtëpi, i tregoi vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të tana vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën e fjalën: nuk kuvendoi në shpi, nuk i tregoi vashës së vet. Nadje.
Të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët shkapeten, gurët copëtohen, zemrat rrahin, muret naltohen. Në shpi, nana e djemve s’din gja. I thotë të madhes: – Moj nuse e madhe, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. Nusja e madhe ia kthen: – Besa, nanë, sod s’mund të shkoj se jam e sëmunë.
Kthehet i thotë të mesmes: – Moj nuse e mesme, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë. – Besa, nanë, sod nuk mund të shkoj, se kam me shkue te fisi me bujtë.
Nana e djemve i kthehet nuses së vogël: – Moj nuse e vogël…
Nusja e vogël brof në kambë: – Urdhno, nanë! – Mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me venë.
– Besa, nanë, unë shkoj, po e kam djalin të vogël. Drue se don gji me pi e kjan.
– Nisu, shko, se djalin ta shikjojmë na, s’ta lamë me kja – i thonë të kunatat. Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me venë, e puth djalin në të dy faqet, niset e bjen në Kazenë; njaty ngjit kodrën e Valdanuzit, i avitet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetnit e i shoqi. –
Puna mbarë, o mjeshtër! Po ç’asht njikështu?
Çekanët ndalen e s’shkapeten, po zemrat rrahin fort e fort. Fëtyrat zbehen.
Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin. E shoqja i thotë: – Ç’ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin? Hidhet kunati i madh: – Ti paske lindë n’e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës. – Shëndosh ju, o kunetë.
Po unë do t’ju la nji porosi: kur të më muroni në mur, synin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, kambën e djathtë të ma lini jashtë, gjinin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël.

Kur të nisë të kjajë – me njanin sy do ta shikjoj, me njanën dorë ta ledhatoj, me njanën kambë t’i tund djepin e me njanin gji t’i jap me pi. Gjini m’u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali jem u trimnoftë, u baftë mbret e mbretnoftë!
Ata e marrin nusen e vogël e e murojnë në themel të kështjellës.
Dhe muret ngrihen, naltohen, nuk shemben ma si ma parë.
Po rranxë tyne gurët janë edhe sod të lagun e të myshkun, sepse vahdojnë me pikue lotët e nanës për birin e saj… E biri? Biri u rrit, luftoi e trimnoi. “