Në Shkodër t’i këndojnë letrat në xhep, mos ia hapni kapakun…
Musa Kurtulaj

Fakti që në Shkoder flasin pak, nuk do të thotë se s’dinë shumë! As që kisha ndermend t’iu kthehesha ngjarjeve të dhunshme që ndodhen në Shkoder në orët e drekës të së shtunës, pasi disa foto që hodha në fb dhe pak koment them se ishin të mjaftueshme.
Por kur degjova andej e këndej nëpër tv e rrjete sociale gjithfarë broçkullash për t’ia lenë në derë kush ta hanë këtë ngjarje, atëherë me duhet t’i rikthem pak, duke ju lutur që së paku mos fyeni inteligjencen e njerëzve normal në Shkoder që kanë parë gjithçka ndodhi me sytë e tyre dhe dëgjuar me veshët tyre!
Vërtet aktet e dhunshme u kryen nga adoleshentë, por nuk duhet mendje aq e hollë për t’u kuptuar se asgjë nuk ishte e rastësishme dhe projektuar pse jo, nga shumë më të rritur! Adolishentët ishin ekzekutorët, kaq ! Jo se bënë ndonjë gjë kush e di çfarë, por së paku mos na e shisni sapunin për djathë, as mos na hidhni hi syve sikur gjithçka ishte e rastësishme !
Si ka mundësi që 10-15 adoleshentë kryejnë akte dhune dhe 200-300 veta të tjerë bejnë tifo për rreth tyre, e nga ana tjeter na tregohet kjo situatë si të kishte ndodhur në henë dhe nuk paska lidhje me protestën!!!
Kush e ha këtë në Shkodër? Është në natyrën e këtij qyteti që asgjë nuk mund të mbahet e fshehur! T’i këndojnë letrat në xhep! Prandaj mos ia hiqni kapakun këtij rasti se mbushet me erë dynjaja!
Në Shkoder njerëzit mbajnë mend shumë, e sidomos kur bëhet fjalë për zhvillimet e 30 viteve të fundit s’të lënë të hapësh gojën për nga mënyra se si janë gatuar ato! Mbajnë mend 14 janarin e vitit 1990, mbajnë mend 13 dhjetorin e vitit 1990, mbajnë mend 2 prillin përgjakshëm të vitit 1991 fatkeqësisht, mbajnë mend vrasjen e Gj.Ç në janar të viti 1994 sapo doli nga një takim politik që u zhvillua në teatrin ” Migjeni”, mbajnë mend marsin tragjik të vitit 1997, mbajnë mend pengmarrjen e Prefektit të Shkodres G.P në shkurt të vitit 1998 për motive politike, mbajnë mend shkatërrimet në Shkoder dhe djegien e komisariatit e drejtorisën së policisë për motive politike po në shkurt 1998 !
Mbajnë mend djegiet e materialeve të votimit në qershorin e vitit 2019, mbajnë mend……! Eh sa shumë e shumë mban mend kjo Shkodër se si janë inskenuar dhe inskenohen punët, sherret, djallëzitë, dinakëritë, poshtersitë !!!! Prandaj edhe tentativat për të kamufluar ngjarjet e dhunëshme të së shtunës në Shkoder nuk i ha njëri ! Bëjnë shumë gabim ata që mendojnë se fakti që njerëzit nuk flasin do të thotë se nuk e dinë të vërtetën ! Jo, jo, në Shkoder kjo nuk shkon, e kundërta është e vërtetë: dinë shumë, aq shumë sa çuditesh, por flasin pak!