Ngjela: Ja si SHBA u rrëzoi planet e banditëve të korrupsionit për të djegur Tiranën, opozita mori mesazh të qartë nga Yuri Kim

Avokati Spartak Ngjela ka shpërthyer dje sërish në akuza të forta për protestat e ditëve të fundit. Përmes një statusi në rrjetet sociale Ngjela u shpreh i bindur se aktet e dhunës janë orkestruar nga politikanët e korruptuar. Teksa i cilësoi ata të cilët dogjën gjatë protestave si banditë të korrupsionit ai u shpreh se sot ata heshtin.

Ndër të tjera ai theksoi se politikanët e korruptuar tashmë janë nën akuzë, ndërsa vijoi më tej duke thënë se ata morën mesazh të qartë nga ambasadorja Yuri Kim.

“Banditët e korrupsionit të lartë shtetëror, që donin të digjnin Tiranën, janë strukur dhe nuk flasin. Ishin nivel shumë i ulët logjik: si mund të djegësh ti një kryeqytet të një vendi të NATO-s! Dhe të gjithë kanë qenë të përgjuar, si të ishin pjesëtarë të një organizate kriminale. Mund të digjet Tirana, që është sot një nga pikat më të afërta të politikës amerikane? Pamundësi absolute.

Të gjithë krerët e korrupsionit të lartë, që tani e dinë se janë nën akuzë për korrupsion, u kërcënuan nga Uashingtoni. Kurse ambasadorja Yuri Kim, që tani, nga sondazhet, rezulton personi më me karizëm dhe vlerësim në opinionin publik shqiptar, me elegancë diplomatike, iu telefonoi paraprakisht të tre krerëve të opozitës. Dhe, natyrisht që Uashingtoni u ka dërguar edhe provat për shfrytëzimin e të miturve, me para, në një përdorje kriminale”, tha ai.

Roli i policisë

Ndër të tjera Ngjela vlerësoi punën e policisë gjatë ditëve të protestave, duke e cilësuar si një polici profesionale ndërsa theksoi se sipas tij edhe Gjykata Kushtetuese duhet të fillojë funksionimin. “Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit në këto ditë erdhi në një nivel të lartë profesional dhe shkatërroi çdo përpjekje të hordhive vandale. Se kjo është arsyeja që dje, protesta kishte ardhur në parametrat normalë të një proteste pa vandalizëm dhe me një temp të kulturuar në paraqitjen e kërkesave të tyre.

Protesta të tilla, po të jenë masive, janë shëndet për shoqërinë shqiptare. Të paktën, këto tre ditët e fundit, shqiptarët u ngrohën, se nuk panë një polici të blerë, por një polici profesionale, të formuar si një trup i vetëm në aksion dhe me përgjegjësi patriotike. Kurse tani, jemi tamam në kohën kur duhet të fillojë punë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, edhe Gjykata Kushtetuese”, theksoi Ngjela.

Ngjela akuza politikanëve

Avokati Spartak Ngjela edhe pak ditë më parë ngriti akuza në drejtim të politikanëve, teksa u shpreh se revoltat e ditëve të fundit në Tiranë janë të nxitura nga klasa politike e korruptuar në vend. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka drejtuar gishtin tek presidenti Ilir Meta dhe tek ish-kryeministri Sali Berisha, pasi sipas tij ata duan t’i shpëtojnë ndëshkimit. “Korrupsioni i lartë shtetëror nuk po e gjente dot një rast për të filluar shkatërrimin masiv të Shqipërisë.

Vrasja e një qytetari nga policia, iu duk se rasti u erdhi. Pse, e do këtë shkatërrim korrupsioni i lartë shtetëror? Berisha, Meta dhe Basha ka muaj që bëjnë thirrje për shkatërrim dhe kjo është e provuar botërisht. Po Rama? Edhe Rama, deri dje, ka dyshime se e donte këtë gjendje, përderisa e la pasive policinë në dy ditët e para, kundër hordhive djegëse të Tiranës. Gjithsesi, tani nuk mund të kemi më vërejtje ndaj tij, se policia, në dy ditët e fundit, ka qenë në nivel të lartë profesional”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT