Ngritja e Kushtetueses/ Soreca: Hap i madh drejt BE! Gjermania: Është përmbushur një kusht qendror

Pas ambasadores Yuri Kim, edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca e konsideron arritje të madhe dekretimin e anëtarit të 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Soreca thekson se me funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese Shqipëria hedh hapin kryesor në plotësimin e kushteve për tryezën e parë ndërqeveritare me BE.
“Sot Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Përparim Kalo si Anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese. Z. Kalo do të betohet nesër nga Presidenti. Ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës. Ne e përgëzojmë Presidentin, Parlamenti, KED dhe Institucionet e tjera për të dhënë një rezultat kaq të rëndësishëm, i cili është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për reformën e drejtësisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të filluar së pari tryezën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë”, shkruan Soreca.
Edhe ambasadori gjerman, Peter Zingraf, përshëndeti ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me dekretimin e anëtarit të gjashtë, Përparim Kalo. Ambasadori Zingraf deklaron se ky hap është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri.
Sipas tij, një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekulibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri.
“Zgjedhja e sotme e z. Përparim Kalo si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Falenderimi im shkon për të gjitha institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje. Një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekulibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Gëzohem që në këtë mënyrë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit.”