Pamjet e KAMERAVE zbulojnë skemën e vrasjes së Klodian RASHËS: Efektivi i Shqiponjave e qëlloi nga 5 metër larg, ‘MORI SHENJË’ dhe hapi zjarr dy herë

Kamerat e sigurisë të një servisi pranë rrugës ku u vra Klodian Rasha më datë 8 dhjetor, tregojnë se 25 vjeçari është qëlluar nga 5 metër largësi. Kështu shkruajnë në dosje prokurorët që po merren me këtë çështje.
Sipas tyre, Klodian Rasha ka qenë duke vrapuar kur është qëlluar nga mbrapa nga efektivi i Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj. Gazetari Elton Qyno shkruan se, kjo ka qenë arsyeja që prokurorët kanë vendosur të ndryshojnë sot akuzën për efektivin e Policisë, dhe për ta nxjerrë para togave të zeza për veprën penale “Vrasje me dashje” dhe jo “Vrasje në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”.
Nga kamerat e servisit në rrugën ku u vra Klodiani, ka dalë se distanca mes viktimës dhe policit ka qenë shumë e afërt, 5 metra. Madje, nga to ka dalë se efektivi Nevaldo Hajdaraj nuk është rrëzuar dhe më pas ka qëlluar 25 vjeçarin në inertësi e sipër, por është shtrirë në tokë dhe është pozicionuar për qitje.
Pasi ka shënjuar “objektivin”, efektivi i Shqiponjave ka hapur zjarr dy herë në drejtim të tij.
Ngaqë distanca ka qenë shumë e afërt, njëri nga plumbat nuk e ka kapur Klodian Rashën por ka bërë rikoshetë në mur dhe ka përfunduar në qepenin e servisit, pamjet e kamerave të të cilit ka sekuestruar Prokuroria e Tiranës, bashkë me predhën e plumbit. Pasi ka “dalë bosh”, Nevaldo Hajdaraj ka shtënë për herë të dytë në drejtim të Klodianit.
Fatkeqësisht, plumbi i dytë ka qenë fatal për të riun pasi i ka hyrë pas shpine, nën brinj dhe në pozicion diagonal nga poshtë-lart, dhe i ka dalë në pjesën e përparme të trupit duke i prekur një nga arteriet kryesore pranë zemrës. Për pasojë 25 vjeçari ka ndërruar jetë.
Nga pamjet që kanë sekuestruar prokurorët, të cilat i citon gazetari Qyno, ka dalë dhe se Nevaldo Hajdaraj nuk është përleshur me Klodianin, siç tregonte efektivi tjetër në vendngjarje, por ngaqë ka qenë duke vrapuar, kur e ka marrë plumbi ai është shembur në tokë dhe ka marrë goditje të tjera.
Pamjet filmike tregojnë dhe momentin kur trupi i Klodian Rashës dërgohet në spitalin e Traumës por fatkeqësisht pa shenja jete. Ketë fakt e konfirmon dhe procesverbali i mjekëve të Traumës, i marrë nga Prokuroria, në të cilin thuhet se ata nuk kanë mundur të bënin asgjë për 25 vjeçarin sepse ai kishte mbërritur pa shenja jete.