PD reagon për ndryshimet në qeveri: Luftë mes klaneve, Rama ricikloi të korruptuarit

Partia Demokratike ka reaguar pas ndryshimeve të papritura në qeveri, ku kryeministri Edi Rama njoftoi largimin e Gent Cakajt dhe emërimin në vend të tij të Olta Xhaçkës. Kreu i qeverisë bëri edhe një rikthim në qeveri, duke emëruar Niko Peleshin ministër të Mbrojtjes, pas vendit bosh të mbetur nga largimi i Xhaçkës tek ministria e Jashtme.
Sekretari i PD, Gazmend Bardhi shprehet se nuk ka ndryshime në qeveri, ka riciklim të të korruptuarve për shkak të luftës mes klaneve në pushtet
“Nuk ka ndryshime në qeveri, ka riciklim të të korruptuarve për shkak të luftës mes klaneve në pushtet. Edi Rama është i lodhur, i vjetëruar, pa ide, pa ekip dhe i pafuqishëm për të ndaluar këtë luftë që dobëson ekonominë për interesa privatë. Në vend që të ndihmojë financiarisht dhe të rrisë punësimin për shqiptarët, Rama u siguron punë vetëm miqve të tij.
Edi Rama është një dështim. Ai është i paaftë të ndryshojë gjërat dhe vazhdon të bëjë keq e më keq. Vendit nuk i duhen arnime të vjetëruara, por i duhet ndryshim. Prej 8 vitesh Edi Rama ka ofruar veç dështime dhe një qeveri që kujdeset vetëm për veten.
Mjaft më! Është koha për të sjellë ndryshimin dhe shpresë të re në Shqipëri. Është koha për të zgjedhur një qeveri që kujdeset për njerëzit, jo për veten e saj.”, shkruan Bardhi./ Gazeta SHQIP