‘Proceset të respektohen, të mos keqpërdoren’/ Yuri Kim apel KED: Kushtetuesja mund të ngrihet këtë muaj

Gjykata Administrative e Apelit riktheu sot sërish në garë për në Gjykatën Kushtetuese, kandidaten e skualifikuar nga KED, Zhaklina Peto.
Pas këtij zhvillimi ka reaguar edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila shprehet se nuk ka asnjë arsye që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri në fund të vitit.
Diplomatja thotë se gjithçka është çështje vullenti, ndërsa i kërkon KED të mblidhet këtë javë për të përfunduar vlerësimin e kandidatëve dhe më pas të dërgojë listën te Presidenti dhe Parlamenti.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të mblidhet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament.
Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”, shkruan Yuri Kim.
Reagim pati edhe nga ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. Diplomati europian theksoi rëndësinë e kësaj gjykate si kusht për negociatat.
“Garantimi i funksionalitetit të plotë të Gjykatës Kushtetuese është kusht thelbësor për nisjen e bisedimeve BE-Shqipëri në konferencën e parë ndërqeveritare”./Gazeta SHQIP