Rama: Ja skenarët destabilizues të planifikuar në Gjirin e Lalëzit. Meta e Berisha orkestrues të dhunës

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se janë ata organizatorët e dhunës në protesta, ndërsa sipas tij, kreu demokrat Basha nuk ka lidhje me to. Kreu i ekzekutivit doli dje në një konferencë për mediat për të folur për ekonominë, ndërsa nuk anashkaloi dhe zhvillimet në vend për vrasjen e Klodian Rashës nga policia.

Kryeministri u shpreh se i mirëkupton protestat, por sipas tij aktet e dhunës janë të nxitura nga politika. Madje ai u shpreh se janë grupi i Gjirit të Lalëzit ata që kanë nxitur të rinjtë të kryejnë akte vandale, ndërsa u shpreh i bindur se Basha nuk ka lidhje. Megjithatë ai kritikoi liderin e PD që nuk ka reaguar duke u distancuar nga dhuna.

“Mua më vjen keq për Lulzim Bashën. Është një tjetër rast që ai është një lider pa pikë karakteri. Basha nuk ka asnjë lidhje me ato që ndodhin. Kjo nuk e pafajëson, por e bën dyfish fajtor. Duhet të dilte të thoshte se kjo nuk është rruga e duhur pasi duhet të shkojmë në votime. Kjo që ndodh nuk është gjë tjetër veç akt i degradimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Këta janë pas asaj. Këta kanë predikuar revolucione. Këtë e dinë dhe peshqit e Liqenit Artificial. Secili nga ju e di këtë që po them unë tani. Këtë e di çdo shqiptar, i majtë apo i djathtë”, tha Rama.

Takimet e Gjirit të Lalëzit

Sipas tij, planet e destabilizimit Meta e Berisha i kanë bërë te vilat e tyre në Gjirin e Lalëzit. Nga ana tjetër deklaroi se ata janë bashkë dhe duan kaos për të rrëzuar qeverinë.

“Ardi Veliu është shprehur gabim duke shkëmbyer me deputetët dhe pa qenë i vetëdijshëm duke filmuar, imagjino tani sikur të kishim kamera se ça thonë Meta dhe Basha, ça thonë në Lalëz se si do hedhin zjarr minorenët”, tha Rama duke iu përgjigjur një pyetje mbi deklaratat e drejtorit të policisë ndaj një zonje, të cilës iu dhunua djali nga polica disa muaj më parë. Nga ana tjetër kryeministri dërgoi një mesazh të qartë për Metën dhe Berishën.

Sipas tij, ata nuk do i ndalin dot zgjedhjet dhe fitoren e PS më 25 prill. “Ilir Meta dhe Saliu janë bashkë, janë të pandarë dhe kanë vetëm një objektiv, si t’ia dalin asaj që nuk kanë për t’ia dalë dot kurrë, që të pengojnë popullin shqiptar që të zgjedhë atë që do, ata që do. Për ta mbyllur, e përsëris, jam i keqardhur që Lulzim Basha hesht njësoj siç heshtin semaforët e fikur, lidhur me këtë që ndodh. Ai e di shumë mirë se kush e bën. Nuk e bën ai dhe nuk e them fare për diversion, fare, por nuk ka asnjë forcë karakteri, zero, që të dalë e të thotë stop. Nuk urdhëron dot as molotova Ademin. Imagjino! Kryetari i partisë, as molotova Ademin nuk e urdhëron dot”, tha Rama.

Mbajtja e protestave

Kryeministri deklaroi se në ditën e parë i mirëkuptoi protestat. Madje po të mos ishte kryeministër do të dilte dhe ai me qytetarët. Por sipas tij ajo protestë u përdor për dhunë, ndërsa u shpreh se ishin policët ata që u sulmuan.

“Ata që e teorizojnë nëpër televizorë e debate, e komente, këtë konvluzion të stimuluar me fëmijët, bëjnë një akt kriminal. Moralisht kriminal. Si mundet? Çfarë i thonë këta të rinjve të Shqipërisë? Dilni dhe bëni kështu sepse kjo është rruga për të përmbysur këtë regjim. Qeveria jonë mund të ketë 1000 arsye për t’u kontestuar, por kjo mund të bëhet vetëm me protestë paqësore dhe votë. Asnjë qeveri nuk e ka gjithmonë të drejtën me vete.

E drejta e protestës është e padiskutueshme, por kjo nuk do të thotë që ata kanë gjithmonë të drejtë. Aty ndahen qeveritë demokratike dhe me ato që mund të jenë zgjedhur demokratikisht. Aty ndahet qeveria jonë me atë të mëparshme”, tha ai. Kryeministri deklaroi se policët në ditën e parë të protestës nuk janë dhunuar, por janë përdhunuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT