Rama: Jemi i vetmi vend demokratik ku janë lënduar më shumë policë se sa protestues! Uniforma e tyre nuk duhet kapur si leckë

Kryeministri Edi Rama, i ulur mes ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrit të ri Bledi Çuçi, në prezantimin e këtij të fundit ka folur për protestat e këtyre 7 viteve të qeverisjes së tij.
Ai tha se mund të jemi i vetmi vend që gjatë protestave janë lënduar më shumë policë se sa protestues. Rama deklaroi se uniforma e efektivëve nuk duhet trajtuar si leckë, në të kundërt qytetari do të “spostohet” nga efektivi si një e drejtë legjitime kur cënohet ky i fundit.
Kreu i Qeverisë u shpreh se në këto 7 vkite qeverisje asnjëherë policia nuk e ka tejkaluar të drejtën e ushtrimit të dhunës.
“Kjo qeveri nuk e ka diskutuar kurrë të drejtën e protestës. Çdo protestues është respektuar në ushtrimin e kësaj të drejte. Në rastin e Unazës së Re për muaj të tërë e drejta e protestës është ushtruar dhe është respektuar nga ne, ndërkohë që është shkelur e drejta e shumë njerëzve për të qarkulluar brenda apo jashtë Tirane. Është shkelur dhe e drejta e zhvillimit strategjik për të ardhmen e qytetit. Apo në rastin e Teatrit. Një pakicë artistësh të lidhur me fije politike, përdorën të drejtën e protestës për t’ju imponuar shumicës, qeverisë dhe bashkisë, duke marrë peng pronën e përbashkët publike, për dy vjet me radhë.
Dhe duke e vonuar me forcë zhvillimin e një projekti të Teatrit të Ri Kombëtar. Nuk është dobësi t’i japësh kohë vetes dhe qytetarëve. Protestat mund të jenë një e drejtë që e ushtron shumica dhe pakica. Në të dyja rastet për shkak të ekzekutimit më në fund të vendimeve përkatëse që qeveria ka të drejtën t’i ekzekutojë me të ligj dhe zakon, qeveria u akuzua për dhunë, për fashizëm e për shumë gjëra. Ka gjithmonë një kohë për të dëgjuar, diskutuar dhe vendosur fundin e diskutimit. Në një rast në favor të qytetarëve dhe ndonjëherë në favor të qeverisë. Thelbi këtu është që në Shqipërinë e 7 viteve nuk ka ndodhur asgjë ndryshe nga vendet demokratike në sjelljen e policisë së shtetit. Ka ndodhur ndryshe nga vendet demokratike, që partitë politike kanë ushtruar dhunë disa herë, muaj e muaj, me cikle.
Është bërë thuajse një e drejtë e ligjëruar se polici mund të preket me dorë. Që uniforma e policit mund të trajtohet si leckë për ta kapur, për ta tërhequr për ta shtyrë, pa llogaritur fjalët. Janë të gjithë dëshmitarë që këto 7 vite policia nuk e ka tejkaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forcës. Ky mbase është i vetmi vend demokratik që numërohen më shumë policë të lënduar se sa policë të lënduar. Atëherë pse policia dhe qeveria akuzohën vazhdimisht. Pse abuzohet me episode të shkëputura? Për të bërë montazhe që shpërndahen për makinerinë më të madhe të propagandës që ka shpikur njerëzimi, rrjete sociale. Askush nuk dëshiron, policia jo e jo, punonjësi jo e jo, që ta kapi qytetarin ta spostojë dhe kur e sposton sigurisht nuk mund të jetë një spostim si dy njerëz që dalin për kafe. Por kur është e nevojshme është e nevojshme. Rezistenca ndaj ligjit nuk mund të justifikohen me të drejtën e protestës” tha Rama.