Rama: Keqardhje për heshtjen e Bashës, nuk urdhëron dot as Molotova Ademin

Gjatë deklaratës për shtyp kryeministri Edi Rama fajësoi ish-kryeministrin Berisha dhe Presidentin Ilir Meta si orkestrues të protestave të dhunshme që kanë përfshirë vendin pas vrasjes së Klodjan Rashës.
Ai thotë se Lulzim Basha nuk ka dorë në këtë akte, por heshtja e tij i legjitimon këto akte.
“Mua më vjen keq për Lulzim Bashën. Është një tjetër rast që ai është një lider pa pikë karakteri. Basha nuk ka asnjë lidhje me ato që ndodhin. Kjo nuk e pafajëson, por e bën dyfish fajtor. Duhet të dilte të thoshte se kjo nuk është rruga e duhur pasi duhet të shkojmë në votime. Kjo që ndodh nuk është gjë tjetër akti degradimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Këto janë pas asaj. Këto kanë predikuar revolucione. Këtë e dinë dhe peshqit e Liqenit Artificiale. Secili nga ju e di këtë që po them unë tani. Këtë e di çdo shqiptar, i majtë apo i djathtë. Edhe fëmija kur të ndjejë se po i bëhet diçka jo e drejtë të shkojë dhe të vendosi zjarrin në shtëpi” – tha Rama.
Ndërsa nuk ngurroi që të thumbonte sërish liderin e opozitës duke e cilësuar se nuk ka forcë as të urdhërojë kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademin.
“Ilir Meta dhe Saliu janë bashkë të pandarë dhe kanë vetëm 1 objektiv, si tja dalin asaj që nuk kanë për tja dalë dot kurrë, të pengojnë popullin shqiptar të zgjedhë atë që do. Jam i keqardhur se si Lulzim Basha hesht si ata semaforët e fikur. Nuk urdhëron dot as Molotva Ademin. As Molotova Ademin nuk e urdhëron dot. Kam një thirrje për prindërit që të mos lenë fëmijët nën ndikimin e Ilir Metës”, – tha Rama.