Rama paralajmëron sekuestrimin e pasurive të gjyqtarëve të shkarkuar: Drejtësia nuk ka mbaruar punë me ta

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sekuestrimin e pasurive të gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu.

Kreu i qeverisë, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët bëri një analizë të plotë të reformës në drejtësi, ndërsa publikoi edhe disa shifra. Rama tha se nga 322 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar në sitën e vettingut, 202 prej tyre janë shkarkuar nga detyra.

“Problemet me sistemin e drejtësisë vijojnë ende. Ende nuk është lehtësuar frymëmarrja e qytetarëve. Procesi i ndërtimit të një sistemi të ri drejtësie nuk zhvillohet sa hap e mbyll sytë dhe pa pengesa. Reforma në drejtësi ka nisur me pastrimin e të gjithë llumit të grumbulluar në dekada në sistemin e drejtësisë. Nëse shohim shifrat e procesit, me siguri që ajo që thashë, konfirmohet. Në 322 individë, nga të cilët më shumë janë shkarkuar dhe larguar sesa janë konfirmuar. Plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejt dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky process, me vetëdijen e pamundësisë për të kaluar filtrin, ndërkohë që vetëm 118 janë konfirmuar. Pra kemi 202 individë të larguar dhe 118 të konfirmuar. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka të bëjë me pyetjen, çfarë ndodh me të larguarit. Vetëm pushim nga puna? Jo. Paralelisht me pastrimin, po konsolidohet ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe ata që nuk kanë justifikuar pasuritë marramendëse do të përgjigjen përpara drejtësisë dhe kështu do të konfirmohet edhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë. Ndaj bëni durim. Po ndërohet nga themelet njëri nga tre pushtetet, që përcakton një nga tre shtyllat e sistemit demokratik.”, tha kryeministri Rama. / Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT