Rama reagon për “shitjen e detit” dhe nxjerr dokumentet: Greqia po ushtron të drejtën e saj, si Shqipëria në 1990

Kryeministri Edi Rama thotë se zgjerimi me 12 milje i Greqisë në detin Jon nuk ka lidhje me zonën joniane mes dy vendeve tona.
Përmes një reagimi në twitter, kreu i qeverisë i quan llum nacional-folklorik deklaratat për “shitje të detit”, ndërsa shton se Greqia po ushtron të drejtën e saj aty ku është e mundur.
“Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë!
Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh!
E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!”, shkruan kryeministri.
Kreu i qeverisë thotë se shteti helen po bën të njëjtën gjë fiks si Shqipëria në vitin 1990, ndërsa ka publikuar edhe disa dokumente. Rama shkruan se territoret nuk mund të blihet dhe shiten në asnjë vend të botës dhe as këtu nga asnjë autoritet i veçantë.
“Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!
Ja edhe dokumentat e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet!” shkruan kryeministri Edi Rama./ Gazeta SHQIP