Rezoluta për gjenocidin serb, ideja e ndryshimit të kufijve dhe fshirja e adresave në Preshevë, Vjosa Osmani tregon çfarë diskutoi me Metën

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani zbuloi sot disa nga çështjet e rëndësishme që diskutoi gjatë takimit me kreun e shtetit Ilir Meta.
Gjatë deklaratës së përbashkët për media, Osmani tha se miratimi i rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë, nga Kuvendi i Shqipërisë, është një ndër këto çështje që ajo pret “të ndodhë natyrshëm”.
Më tej Osmani u shpres se e mbështet presidentin Meta në thirrjet e tij kundër idesë së ndryshimit të kufijve, ndonëse konsiderohet “një ide e vdekur”, ajo tha se kjo tezë mund të kthehet sërish në tavolinë në një të ardhme.
Çështja e tretë është fshirja e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, një lëvizje e Serbisë që Osmani e ka konsideruar si “spastrim etnik i heshtur” që po ndodh aty ku jetojnë shqiptarë.
“Kërkesa tonë që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi ynë e ka miratuar tashmë këtë deklaratë, dhe është krejtësisht e natyrshme që të presim që vendi i dytë që do ta bëjë këtë të jetë Shqipëria.
Çështja e dytë është për qëndrimin e tij të prerë kundër idesë së tmerrshme dhe aventurës për ndryshim kufijsh. Sado që kjo të mendohet si ide e vdekur, unë mendoj që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë.
Pasivizimi i adresave atje është një spastrim etnik i heshtur, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Kërkon një bashkëpunim më të gjerë, në mënyrë që Serbia të ndërprejë këtë krim që po kryhet atje”, tha ndër të tjera Osmani.