“Rikthehet” Gërdeci në Kuvend, Murrizi përplaset me Koçin: Pse nuk i trajtoni ish-punonjësit?!

Një diskutim në Kuvend ka sjellë një përplasje të fortë mes qeverisë dhe opozitës parlamentare dhe në veçanti ndërmjet Petro Koçit dhe Myslym Murrizit.
Bëhet fjalë për një nismë të qeverisë, e cila përcakton një trajtim të veçantë të punonjësve të industrisë ushtarake siç janë uzina e Poliçanit, ajo e Mjekësit, Kuçovës etj.
Një grup punonjësish që nuk kanë përfituar nga një ligj i vitit 2004 si pasojë e largimit nga puna herë pas here futen në këtë skemë.
Për këtë draft sot u zhvillua online një diskutim ndërmjet Komisionit të Sigurisë së bashku me komisionin e Financave. E ky diskutim ka sjellë një përplasje të fortë politike gjatë diskutimit në distancë. Petro Koçi, zv.ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se ky projekt është një kontribut për një pjesë punonjësish që i kanë shërbyer vendit por nuk kanë marrë kontributin që kanë dhënë.
Por deputetët e opozitës parlamentare, e cilësuan këtë nismë si elektorale, pasi PS synon të përfitojë vota nëpërmjet vendimeve për kategori të caktuara. Si kreu i Ballit Kombëtar, Artur Roshi, ashti edhe deputeti Korab Lita, e cilësuan këtë nismë të qeverisë si të parregullt, ndaj i kërkuan që ta tërheqë projektligjin.
Kurse më i ashpri ka qenë kryetari i partisë të re Lëvizja Demokratike Shqiptare, Myslym Murrizi, i cili e ka akuzuar qeverinë për hipokrizi.
“Na sillni copa ligjesh kur bëhet fjalë për 140 persona që përfitojnë, sikur keni bërë heroizma. Përse nuk bëni një ligj të plotë që të përfitojnë shumë qytetarë dhe ua votoj me qejf, çdo ligj që heq detyrimet apo rrit pensionet është pozitiv. Por ju i bëni për hipokrizi, ku ishit këto 7 vjet e gjysmë, përse nuk e propozuat atë kur ishit në qeveri para 2005-s ose pas 2005 kur ishit në opozitë?
Përse nuk keni futur tek përfituesit e këtij drafti edhe punonjësit e punishtes së Gërdecit, apo se bashkëpunuat me ustallarët e asaj pune. Kjo nuk është normale dhe serioze”, theksoi Murrizi. Koçi kërkoi të replikonte por kryetarja Ermonela Felaj mbylli seancën./GazetaShqip