Sherri në PD/ Nishani e akuzoi si spiun, ish-deputeti Gurakuqi i nxjerr dokumentin: Pse ke ndërruar mbiemrin?

Në mënyrë të paprecedentë, ish-presidenti Bujar Nishani i është kundërpërgjigjur ashpër ish-deputetit të PD-së, Romeo Gurakuqi, i cili është lënë jashtë lista për kandidatëve për deputetë, nga Komisioni i Vlerësimit, duke e cilësuar si përfaqësues të ish-sigurimit të Shtetit.
Si një ish-Ministër i Brendshëm, Nishani shkruan se do t’i sugjeronte Romeos të kërkonte e lexonte në arkivin e Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Brendshme) kartelën Nr. 379, të datës 08.01.1949, të rekrutimit të “SATELITIT” prej oficerit të sigurimit, Anastas Bojaxhi dhe kartelën Nr. 2641 të datës 27.02.1980, të rekrutimit të “VIGJILENTIT”, prej oficerit të sigurimit, Selfo Islami, sepse atëherë do të kthjellohej”.
Por këto akuza janë hedhur poshtë menjëherë nga profesori Gurakuqi që i ka cilësuar si shantazhuese sulmet e ish-presidentit Nishani, duke i nxjerrë gjithashtu edhe dokumentin e Autoritetit të Dosjeve që shprehet se “është i pastër”, pra nuk ka një të kalaur të errët.
Ish-deputeti demokrat gjithashtu paralajmëron se do ta padisë në gjyq Nishanin për shpifje, si dhe i kujton atij se pse e ka ndërruar mbiemrin dhe se pse nuk ka marrë certifikatën e sigurisë e Autoriteti i Dosjeve.
“Veprimin shantazhues se Bujar Mehmetit (Nishani) e konsideroj një shpifje të mirëfilltë dhe e garantoj që do të mbaje përgjegjësi ligjore, sipas ligjeve në fuqi në Republiken e Shqipërisë. Për gjithë pjesën tjetër të përroit të fjalëve pa lidhje të personazhit Nishani, do ketë një përgjigje të detajuar, duke filluar nga rezultati i zgjedhjeve 2017, i krahasuar në vite dhe në territor”, shkruan Gurakuqi.
Reagimi i plotë
Pas një deklarate shantazhuese të z. Nishani deklaroj me përgjegjësi para opinionit publik, para bashkëqytetarëve të mi të Shkodrës, se të dhënat e paraqitura nga personi, që për fat të keq ka qenë Presidenti i vendit, nuk kanë të bëjnë as me mua dhe as me familjen time. I kërkoj publikisht Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish Sigurimit te Shtetit të japë opinionin e vet përkufizues, brenda parashikimeve të ligjes, mbi dy dosjet e cituara.
Personalisht jam kontrolluar dy herë nga Autoriteti për Informim në vitin 2017, herën e parë si kandidat për organet e reja të Drejtësisë (kandidat i KLGJ) dhe herën e dyte, pas fitores nga PDSH Shkodër ne zgjedhjet e vitit 2017, para marrjes së mandatit, me nismën time si detyrim moral ndaj zgjedhësve.
Personazhet, oficerët, të dhënat nuk kanë të bëjnë as me mua dhe me asnjë anëtarë të familjes sime.
Nën përgjegjësi publike dhe ligjore deklaroj se as unë dhe asnjë anëtar i familjes sime, nuk ka qenë kurrë as bashkëpunëtor i ish- Sigurimit dhe as anëtar i PPSH. Po ashtu, mbiemri i familjes sime nuk ka ndryshuar prej me shume 3 shekujsh e gjysmë, fakt lehtësisht e vërtetueshëm nga regjistrat kishtare të Arshivës së Famullisë së Shkodrës.
Problemi është se këtë shpifje shantazhuese e bën një person që ende nuk ka shkuar vetë për të bërë kërkesë para Autoritetit për Informim dhe nuk i ka shpjeguar publikut arsyen pse ka ndryshuar mbiemrin e tij.
Bashkëngjitur po paraqes vërtetimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit te Shtetit, i cili vërteton pastërtinë e figurës sime ne lidhje me të kaluarën.
Veprimin shantazhues se Bujar Mehmetit (Nishani) e konsideroj një shpifje të mirëfilltë dhe e garantoj që do të mbaje përgjegjësi ligjore, sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Për gjithë pjesën tjetër të përroit të fjalëve pa lidhje të personazhit Nishani, do ketë një përgjigje të detajuar, duke filluar nga rezultati i zgjedhjeve 2017, i krahasuar në vite dhe në territor.
Qytetaret kanë rastin të kuptojnë se nën drejtimin presidencial të kujt kane qenë!
Romeo Vilhelm Gurakuqi