Shqiptarët bojkotojnë politikën/ Eksperti: Kambanë alarmi për partitë politike!

Pjesa dërrmuese e shqiptarëve ndjehen të papërfaqësuar nga Qeveria dhe nga klasa politike në përgjithësi. Dy të tretat e personave në moshë madhore dhe me të drejtë vote shprehen të pakënaqur si me punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, ashtu edhe me opozitën.
Ky është rezultati i gjetjeve të një sondazhi të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Instituti Demokratik Kombëtar. Angazhimi i qytetarëve në skenën politike të vendit dhe besimi te institucionet politike duket se ka shënuar një rënie dramatike gjatë katër viteve të fundit, ku humbja e besimit te qeveria nuk ka sjellë ndonjë përmirësim te besimi për opozitën, ndërsa gjithnjë e më pak qytetarë shohin zgjidhje te kutia e votimit.
Sondazhi është shtrirë në të 12 qarqet e vendit dhe në të kanë marrë pjesë mbi 1500 qytetarë. Gjithashtu shumica shprehen se nuk do të votonin sikur zgjedhjet të mbaheshin këtë javë.
I ftuar në “Wake Up”, eksperti i komunikimit, Julian Zyla deklaroi se kjo është një kambanë alarmi për partitë politike.
“Sondazhi duhet marrë si një pasqyrë reale e zhgënjimit të njerëzve. Mendoj se është në favorin e secilës palë politike që të marrë seriozisht çdo kambanë alarmi që u vjen. Kjo mund t’u shërbejë partive politike që të përmirësohen në veprime, në deklarata politike.
Njerëzit matin performancën e politikës me gjendjen e tyre. Nëse politika nuk ndryshon gjendjen tënde, atëherë kjo është e drejtë”, theksoi ai.