“Të zgjedhurit” e Edi Ramës që firuan rrugës

Mendim Shkreli
Ushtruesi i detyrës i Ministrit të Jashtëm, Genci Cakaj, papritmas ose jo, askush nuk e di se si lëvizin ujrat e nëndheshme të qeverisë, dha dorëheqjen. Ai do të rikthehet si pjesë e kabinetit të Kryeministrit, i cili, atëherë kur e përcaktoi si ministër, ishte entuziast dhe i tejshkuar, sikur të paraqiste para nesh një gjeni, që vetëm fati ia kishte zbuluar atij për të na e dhuruar ne të tjerëve.
Në pak kohë, Genci Cakaj është i larguari i tretë nga të zgjedhurit e shefit të qeverisë. Para tij është larguar Besa Shahini, shqiptare e Kosovës, si është edhe Genci dhe nga një familje atdhetare e njohur për qëndrimin e saj; pastaj, si një kronikë e paralajmëruar dhe në fakt ishte e tillë, meqenëse i dihej koha dhe vendi, do të largohej Sandër Lleshaj, dorëheqjen e të cilit e shpejtoi , për fat të keq të të ndjerit dhe të familjes s tij, vrasja e25 vjeçarit Klodian Rasha.
Tre largimet kanë disa gjëra të përbashkëta:
-Që të tre ishin zgjedhur me dorë nga shefi i qeverisë, Rama dhe konceptoheshin si njerëzit e tij që do të bënin ndryshime të mëdha. Paraqitja e tyre në publik ishte glorioze, një superlativë e përcaktuar si rruga e shpëtimit në tre sektorë jetikë: në arsim, politikën e jashtme dhe çështjet e brendshme dhe të pushtetit lokal.
-Që të tre, deri asaj dite nuk kishin asnjë lidhje me strukturat e Partisë Socialiste dhe as nuk njiheshin si të tillë. Besa Shahini dhe Genc Cakaj kishin qenë në fillim pjesë e Lëvizjes VV në Kosovë dhe afrimi i tyre në strukturat qeveritare, megjithëse ishte një gjetje e mirë politike, rezultoi se nuk kishte qenë gjetja e duhur administrative.
-Për asnjërin prej tyre nuk ishin pyetur e as nuk ishite diskutuar me strukturat e Partisë Socialiste. Askush nuk e dinte më parë se në drejtimet e rëndësishme të kabinetit do të vinin njerëz për të cilët do të bëhej pyetja: Kush është ky-kjo?
Edi Rama i gjeti vetë, e drejta e tij, i mori vetë- e drejta e tij, i bëri ministra vetë- një e drejtë e diskutueshme dhe në fund bëri që të largoheshin vetë ose jo vetë – kjo është përgjegjësia e tij.
Dy prej tyre kishin qenë këshilltarë të kabinetit Rama, zonja Shahini zëvendësministre që zuri vendin e zonjës Nikolla. Tre ministra që u bënë pjesë edhe e strukturave të larta drejtuese të PS, ku i kishte dërguar posti dhe jo bindja dhe që, pas largimit nuk besoj se do të jenë përsëri aty.
Cakaj zuri vendin e Ditmir Bushatit, edhe ky verior. Bushati u largua në pikun e një krize të pashaplur mes tij dhe shefit të qeverisë , e cila rrihte në dy krahët: çështja e Detit dhe kufijtë e Kosovës. Tani , pikërisht kur DETI si temë doli përsëri në kryefjalë, largohet një tjetër ministër. Edhe sa vetë “ do të zërë deti”, këtë askush nuk e di.
Tani, në qeverinë Rama nuk gjendet më asnjë prurje nga shqiptarët e Kosovës – ose gjetja e figurave ka qenë e paduhura, ose ai nuk ka ditur të ndërtojë me to një marëdhënie serioze; për më tepër, tani në qeverinë Rama nuk ka asnjë përfaqësues të shqiptarëve përtej lumit Mat e deri në Mitrovicë. Ndoshta është hera e parë që ka zbrastësi të tillë. Dhe të mendosh se Rama aspiron për një president të përbashkët Shqipëri – Kosovë, të bën të mendosh për më tej në atë raportin vizion – realitet.
Diçka duhet thënë : dy ministrat nga Kosova, të përgatitur si ishin, dëshmuan se në qeveri mund të jesh dhe mund të ikësh duke ruajtur dinjitetin vetjak e duke mos lënë pas vetes pisllëqe financiare dhe tenderë politikë. Asnjëri prej tyre nuk është përfolur për akte korruptive, familjaritet punësimi, kthimin e institucionit në një armë politike dhe mbushja me metingashë të papërmbajtur.
Ata ikën pa lënë skandale pas vetes.
Ndoshta, si edhe të tjerë, u lodhën më shpejt nga autokracia kryeministrore se sa nga pushteti si akt drejtues.
“Të zgjedhurit” personalë të Edi Ramës po firojnë shpejt rrugës!
Jo rastësisht ata e ndjejnë veten më të lehtësuar kur largohen!
Prandaj është koha që të mos jetë Njëshi i Vetëm, por shumësia e strukturave që e kanë zgjedhur dhe e mbështetin.