VIDEO/ 104 thasë të zinj me dokumente përmbarimore braktisen në Ministrinë e Drejtësisë, për të humbur gjurmët
Top Story

Në 14 tetor të vitit 2019, në mëngjes, shtetasi Gentjan Kamberi është paraqitur pranë Ministrisë së Drejtësisë. Me 6 thasë të zinj në duar, ai ka hyrë në hollin e Ministrisë. Në thasë kishte me mijëra fletë dokumente dhe fashikuj, që në fakt ishin praktika përmbarimore.
Gentjani afrohet pranë zyrës së protokollit dhe i dorëzon ato pa treguar se në emër të kujt po e kryente dorëzimin.
Ditë më vonë rezultoi se ky person ishte postier dhe punonjës i shoqërisë Albanian Debt Collection.
Nga një vëzhgim i shpejtë, kuptohej se dosjet i përkisnin shoqërive përmbarimore ZiG shpk, STAR apo FS. Pas shoqërimit nga policia Gentjan Kamberi ka pranuar se e ka dërguar Arben Meskuti që të dorëzonte thasët e zinj me dosje.
Pas dy ditësh, pra, në 16 tetor 2019 ky shtetas është shfaqur përsëri në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Me më shumë siguri se herën e parë, ka thënë se ka sjellë më shumë dosje.
Ndërkohë pas disa ditësh në 28 tetor të 2019 Gentjan Kamberi së bashku me disa të tjerë kanë zbarkuar në ambientet e brendshme të pritjes me publikun në Ministrinë e Drejtësisë.
Ata kanë lënë në mënyrë demostartive 104 thasë të zinj me materiale përmbarimore. Askush nuk mori përsipër dorëzimin e tyre por thjesht u larguan. Ky proces është kryer nën survejimin e kamerave të ministrisë nga ora 08:00 deri në 09:00.
Përveç punonjësve të ministrisë aty kanë qenë të pranishëm edhe ish përmbaruesi Arben Meskuti dhe Aldo Daka.
Po atë ditë janë paraqitur në ministri edhe ish përmbaruesit Roland Deda, Albert Gega, Renato Ziu, Kejda Seferi dhe Alketa Tanushi.
“Nëse një individ le profesionin ai patjetër duhet që të gjithë dokumentacionin që ka grumbulluar gjatë gjithë eksperiencës së tij duhet ta dorëzoje në Ministrinë e Drejtësisë sepse ato janë dosje që përmbajnë veprime ligjore për qytetaret”, u shpreh Saimir Hoxha, përmbarues.
Të gjithë përmbaruesit e përmendur më sipër nuk kanë pranuar që të nënshkruajnë për këto material. Ata kanë dhënë të njëjtën përgjigje të sikronizuar se : Nuk kemi dosje, nuk kemi çfarë të dorëzojmë!
104 thasët e braktisur përmbanin materiale përmbarimore të Shërbimit Përmbarimor ZiG, Star dhe me emrin e ndryshuar FS. Nga numërimi paraprak rezultoi se ishin 2800 dosje të shërbimit Zig. Ndërsa 36 thasë me rreth 3 mijë dosje të tjera përmbarimore me dokumentet kaotike, i përkisnin shoqërisë përmbarimore STAR.
E gjithë kjo manovër e mirëmenduar me thasët e zinj, u bë për arsyen e vetme që 11 përmbaruesit e Qendrës STAR të mos mbanin përgjegjësi për praktikat abuzive që kishin kryer.