Video/ Çuçi merr kupolën e lartë të Policisë së Shtetit dhe shkon në familjen e Klodian Rashës

Ministri i ri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka vizituar familjen e Klodian Rashës, i cili u vra para dy javësh nga një efektiv i forcave Shqiponja.
Çuçi, ka shkuar për ngushëllim me kupolën më të lartë të Policisë së Shtetit; kreu i SHÇBA-së, Numri dy i policisë së Shtetit, Albert Dervishi dhe Drejtori për Policinë Kriminale, Tonin Vocaj.
Kjo vizitë paraqet një akt të rëndësishëm që i tregon Qazim Rashës, përveç ngushëllimeve për humbjen e të birit, një demonstrim i vullnetit të plotë të ministrisë së Brendshme të Policisë së Shtetit për të ndihmuar Prokurorinë që të zbardhë në mënyrë shteruese të gjithë ngjarjen që çoi në vrasjen tragjike të djalit të tij.
Familja e Klodjan Rashës ka kërkuar që në fillim që të mos ndoten provat dhe të mos tentohet të prishet hetimi, duke përkrahur policinë që ka përdorur armën e shtetit për të vrarë të mirin.
Prokuroria e Tiranës, ka bërë të ditur se ka përfunduar hetimet dhe thuajse e ka zbardhur plotësisht ngjarjen. Ajo ka bërë të ditur se do të ndryshojë edhe kualifikimin e veprës penale drejt vrasjes me dashje.
Për vrasjen e 25-vjeçarit në kryeqytet dhe jo vetëm u zhvillua për 7 ditë me radhe protesta nga qytetarët që kërkonin drejtësi ndërsa u dorëhoq nga posti i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Ndërsa efektivi i Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj i cili qëlloi për vdekje me armën e shërbimit Klodian Rashën është i akuzuar për vrasje me dashje.
Vetë polici më herët ka shprehur pendesën e tij për vrasjen e 25-vjeçarit. Shefkie Demiraj Mataj, gjyqtare e Gjykatës së Tiranës tha: Nevaldo Hajdaraj ka shprehur pendesë të thellë mbi aktin e kryer. Ai ka kërkuar që të afërmit e viktimës Klodian Rasha të ishin të pranishëm në seancë për t’iu kërkuar ndjesë publike.
Procesi gjyqësor ndaj policit të arrestuar do nisë së shpejti ndërsa të gjitha provat dhe dëshmitë janë mbledhur nga prokurori i cili në këtë vendim ka përjashtuar drejtorinë e policisë së Tiranës.