Zbulohet lista me kandidatët potencialë/ Ja kur bëhet publik emri i Ministrit të Brendshëm

Kryeministri Rama ka konsultuar me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi profilin e ministrit të ri të Brendshëm, i cili do të zëvendësojë Sandër Lleshin pas dorëheqjes së dhënë.

Kreu i qeverisë ishte në kryesinë e Kuvendit dje në mesditë, me të cilin ka ndarë mendimet se në ministrinë e Brendshme duhet të shkojë një figurë e pakonsumuar në ekzekutiv, i cili nuk do të ketë ngarkesën e drejtimit më parë të një dikasteri.

Taulant Balla është kandidati më potencial për këtë post të rëndësishëm në këtë situatë, kur ministria e Brendshme është në qendër të ciklonit të revoltës pas vrasjes së 25-vjeçarit, por dhe në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Numri dy në Partinë Socialiste nuk ka në CV-në e tij një përvojë ekzekutive, duke e bërë atë më pak të atakueshëm për menaxhim të fondeve publike apo të tenderimeve. Por, në radhët e maxhorancës, nuk munguan dje dhe emra që mbeten ende kandidatë të mundshëm, si sekretari organizativ në PS, deputeti Arben Pëllumbi, apo ai i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila mund të kalojë në krye të ministrisë së Brendshme dhe në vend të saj të emërohet Damian Gjiknuri.

Mësohet se emrin e ministrit të ri nuk do ta mësojmë para ditës së hënë, kur Kryeministri Rama do ta bëjë atë publik pas një fundjave ku pritet të qetësohet edhe vala e protestës.

Gjatë afro tetë viteve qeverisje, Kryeministrit Rama i është dashur të pranojë dorëheqjet e tre ministrave të tij të brendshëm, Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt për akuzat e ngritura ndaj tyre, i pari si i implikuar me familjarët e tij në trafik narkotikësh, ndërsa i dyti për shkak të vëllait të tij,i cili u dorëzua në Itali për të kryer një dënim të pa ekzekutuar.

Dorëheqja e Sandër Lleshajt erdhi pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, por që sipas Lleshajt po kërkohej si sebep për të djegur Shqipërinë./ Gazeta Panorama

Back to top button
LAJMET E FUNDIT