ZEF MAZI për integrimin e Shqipërisë në BE: GABIM jo i vogël që vendet nuk ranë dakord, në BE ka ende pluhur paragjykimesh ndaj nesh (ANALIZA)

Zef Mazi, kryenegociator i Shqipërisë për në BE thotë se vendi ynë ka plotësuar kuadrin për tu ulur në tryezën ndërqeveritare me BE-në, por gjithashtu thotë se problemet e vecanta që kanë vendet e 27-esh, duhet të lihen jashtë këtij procesi.
Diplomati i karrierës që gëzon simpatinë në qarqet evropiane, që kur mori detyrën nga Edi Rama, bën bilancin e një pune voluminoze dhe tregon dhe arsyen se pse Shqipëria nuk “hypi” dot në vagonin e saj të integrimit.
“E vërtetë, Këshilli nuk arriti në vendim konsensual. Çështja është disi e komplikuar. Ajo ka në bazë mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për pika sensitive dypalëshe. Kjo pati ndikimin e vet tek ne. Në Këshill nuk pati dakordësi që të miratohej kuadri negoociues vetëm për vendin tonë, duke e ndarë atë nga Maqedonia e Veriut. Bullgaria nuk ka qenë penguese për vendin tonë.
Ajo është shprehur dakord të procedohej me miratimin e kornizës për Shqipërinë. Në interesin e vendit tonë, ka qenë gabim jo i vogel që të mos bihej dakord. Unë shpresoj që çështjet bilaterale të zgjidhen sa më parë përmes dialogut intensiv. Ato të mos bëhen pjesë e marrëveshjeve të 27-ve dhe siç thuhet në Direktiven e BE-së, ky proces të mos ndalet, të mos mbahet peng. Sigurisht kjo situate është disi zhgënjyese, pasi Këshilli nuk arriti marrëveshje për këto çështje në këtë fund-viti. Unë e kuptoj arkitekturën e BE-së, interesat e vendeve të ndryshme, vështirësitë e konsensusit ndërmjet 27 vendeve.
Rëndësi për vendin tonë është të dimë të ecim përpara pa u ndalur, pa u mërzitur, me durim, me largpamësi. Ne duhet të punojmë të gjithë, pa përjashtim, që të bindim partnerët se e ardhmja jonë, e vendit tonë, e rinisë tonë, nuk duhet të kapet peng nga e tashmja.
Është me rëndësi themelore që zhvillimet politike në një vend të mos kapërcejnë interesat largpamëse shumëdimensionale te BE-së për t’i pasur në anëtarësinë e vet vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria. Ndër vendet e BE-se ka ende pluhur politik paragjykimesh mbi kostum ndaj nesh, ai duhet shkundur”, tha Zef Mazi në një intervistë për JavaNews.
E kur pyetet se kur mund të merret vendimi për uljen në konferencën ndërqeveritare Mazi thotë: “Shumë shpejt në vitin e ri që hyjmë, shpresoj që të fillojmë në pranverë”.