Detaji nga libri i gruas së ish-ambasadorit italian në Shqipëri në vitin 1990, ja ku u dha sinjali i parë për rënien e diktaturës në vendin tonë

Analisti Afrim Krasniqi ka publikuar një pasazh nga ditari i gruas së ish-ambasadorit italian në Shqipëri për demonstratat në Shkodër të zhvilluar më 14 dhe 15 janar 1990.
Në një status të tij në rrjetin social “Facebook”, ai shkruan momentin kur, Annarosa Manetti, gruaja dhe autore e librit ‘Ditar nga Shqipëria’ tregon momentin se në kryeqendrën e veriut po përgatitej një kryengritje popullore për të rrëzuar sistemin komunist.
Sipas saj ishin pikërisht shkodranët ata që dhanë sinjalin e parë për rënien e diktaturës.
Statusi i plotë:
15 janar 1990
Na u desh të ktheheshim me nxitim në Tiranë nga pushimet tona të shkurtra në Romë, sepse në Shqipëri janë përhapur zëra të një tentative për kryengritje popullore, veçanërisht në Shkodër, qyteti më katolik dhe më i ndikuari nga kontaktet shekullore me botën e jashtme. Në kryeqytet gjithçka duket e qetë dhe e pandryshuar, por parandihet se në Shkodër diçka ka lëvizur sidomos mes të rinjve, megjithëse është shuar menjëherë. Ndihet gjithashtu se diçka vazhdon të vlojë, sepse në ambasadë kemi marrë nja dy telefonata anonime në italisht, të cilat paralajmëronin trazira në shesh gjatë të nesërmes. Por një telefonatë pasuese, e përgënjeshtroi gjithsesi demonstratën. Sidoqoftë në sheshin qendror, sheshin “Skënderbej”, kishte një numër të madh të forcave policore.
(Marre nga libri “Ditar nga Shqipëria (1990)”, autore Annarosa Manetti)