FOTO: Marrëveshja me kompaninë “Pfizer”, Shqipëria pritet të marrë 500 mijë doza të vaksinës. Ja kalendari i vaksinimit në varësi të sasisë që do sigurohet

Është nënshkruar marrëveshja me kompaninë “Pfizer”, për 500 mijë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Arben Ahmetaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe foton e dokumentit të marrëveshjes së arritur, por nuk bëhet me dije se kur pritet të mbërrijnë dozat.
Finalizimi i marrëveshjes me kompaninë “Pfizer”, vjen pas miratimit të marrëveshjes në Kuvend një ditë më parë, ku po ashtu iu dha autorizimi Ministrisë së Shëndetësisë për zhvillimin e negociatave me kompani të tjera përveç “Pfizer”, për vaksinat që janë certifikuar nga FDA dhe EMA.
Ndërkohë java e dytë e vaksinimit ka nisur dje me mjekët dhe infermierët e pavionit Covid të Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e infektuar. Prej aty, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se do të vijohet me vaksinimin e kombinuar, sipas planit kombëtar të vaksinimit.
Sipas saj, ky proces do të vijojë me të moshuarit e Shtëpive të të Moshuarve. Ajo tha se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e lëvrimit të vaksinave të para.
Plani kombëtar i vaksinimit
Strukturat e shëndetit kanë detajuar tashmë edhe planin kombëtar se si do të veprohet me vaksinimin anticovid. Në këtë plan, përcaktohet se vaksinimi do të zhvillohet në katër faza. Në fazën e parë po vaksinohet personeli mjekësor, për të vijuar më pas me të gjitha grupet e tjera të riskut.
Faza e parë e vaksinimit
Gjatë periudhës 9 mars 2020 – 3 janar 2021 janë kryer 9.468 testime në personel shëndetësor dhe janë konfirmuar 2.347 raste pozitive. Incidenca e koronavirusit në stafin mjekësor dhe mbështetes është 1.020 për 10 mijë banorë (duke patur parasysh që numri i personelit shëndetësor në gjithë Shqipërinë është 23 mijë) prandaj grupi i parë prioritar janë punojësit shëndetësorë.
Në varësi të sasisë së vaksinave që do mund të sigurohen, të parët po vaksinohen punonjësit shëndetësorë që shërbejnë në spitalet Covid dhe në urgjencat dhe shërbimin e reanimacionit të spitaleve dhe kanë kontakt të ngushtë me pacientët, personeli i cili kryen marjen e mostrës dhe testimin, personeli që kryen hetimin dhe gjurmimin në terren.
Ndërsa në fazën e dytë do të jenë punonjësit e tjerë shëndetësore dhe socialë të cilët shërbëjnë pranë strukturave shëndetësore.
Faza e dytë e vaksinimit
Pas bluzave të bardha, vaksinimi do të vijojë me grupin e dytë. Në këtë grup bëhet fjalë për personat e moshuar dhe ata me probleme të shumta shëndetësore. Në këtë grup futen personat mbi 65 vjeç, personat që jetojnë në shtëpitë e pleqve apo institucione të kujdesit afatgjatë, personat me sëmundje bashkëshoqëruese dhe obezët.
Edhe për këto shtresa të këtij grupimi, vaksinimi do të zhvillohet në disa faza. Në fazën e parë do të vaksinohen të gjithë personat që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe institucione të kujdesit shëndetësor dhe social afatgjatë.
Në fazën e dytë do të vaksinohen personat e moshuar ku fillimisht do të vaksinohen ata mbi 90 vjeç dhe me pas ata mbi 80 vjeç, për të vijuar me ata të moshës mbi 70 vjec dhe më tej me grupmoshat mbi 65 vjeç pavarësisht sëmundjeve bashkëshoqëruese që kanë.
Në fazën tjetër do të vijojë vaksinimi me personat që janë nën moshën 65 vjeç që janë me probleme të ndryshme shëndetësore dhe atyre obezë, ku pritoritet do t’u jepet atyre të cilët kanë më shume se një sëmundje.
Por i gjithë kalendari është në varësi të sasisë së vaksinave që do sigurohen. Në varësi të kësaj, në këtë fazë do të vaksinohen edhe punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë, si: përshembull mësues, edukatorë, forcat e rendit, punonjës të shërbimit elektrik dhe ujësjellësit, dhe kanalizimeve, forcat zjarrëfikëse, punonjës të telekomit apo transportit publik, etj.
Faza e tretë dhe e katërt e vaksinimit
Në fazen e tretë do të vaksinohen të gjthë personat e grupeve të mësipëme të fazës së dytë që nuk kanë arritur të vaksinohen. Dhe në fazën e katërt do të vaksinohet e gjithë popullata pavarësisht sëmundjeve bashkëshoqëruese.

