“Goditja komuniste na shpërndau në gjithë botën”, flet stërnipi i Isa Boletinit: Kishte 14 fëmijë nga 3 martesa

Isa bej Boletini i njohur edhe thjesht si Isa ose Isë Boletini, ka qenë figurë kombëtare dhe kryengritës shqiptar në Vilajetin e Kosovës, pjesëmarrës në rini në veprimet e Lidhjes së Prizrenit.
Më pas shërbeu si kryetar i rojeve të pallatit sulltanor, prej ku u kthye me nishane (grada) dhe çifligje, pas ardhjes së xhonturqve dhe masave të tyre drejtoi kryengritjet e 1910 dhe atë të 1912.
U caktua ndër rojet e Princ Vidit gjatë sundimit të tij jetëshkurtër. Vritet gjatë një shkëmbimi zjarri në Podgoricë, pasi u vranë 17 bashkëluftëtarët e vet.
Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel ishte i ftuar në studoi stërnipi i tij, Gazmend Boletini, i cili u shpreh se “ideologjia e tij ishte çlirimi i trojeve që ishte okupuar 500 vjet”.
“Unë vij nga djali i 7 i Isa Boletinit, i cili kishte 14 fëmijë nga 3 martesa. Ka qenë familje e madhe dhe e pasur deri me ardhjen e regjimit komunist. E ky regjim e prishi në mënyrën më të keqe këtë familje”, tha Gazmend Boletini.
Ky i fundit shtoi se edhe fëmijët e Isa Boletinit vazhduan rrugëtimin e babait të tyre, që t’i shërbenin vendit. “Ata dhanë besën, familjen dhe pasurinë. Goditja komuniste na shpërndau në të gjithë botën. Djemtë e Isait u shkolluan në shkollat më të mira Evropiane”, tha stërnipi i Isa Boletinit.
Ai u shpreh se është i zhgënjyer nga qeveria dhe institucionet kosovare, pasi familja e tij nuk ka asnjë privilegj dhe nuk janë trajtuar ashtu siç duhet.