Habit Rama, i del në ‘mbrojtje’ Bashës: Jo kaq ashpër ju lutem, se nuk është çun i keq (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku ish-anëtarë të Partisë Demokratike hedhin akuza dhe ofendojnë Lulzim Bashën.
Kreu i PD-së u shpreh mbrëmë në një emision televiziv se do të jetë kandidati i vetëm për Kryeministër në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama ka montuar videon, duke i bashkëngjitur disa mendime që ish-anëtarët e PD-së Astrit Patozi dhe Arben Imami thonë në drejtim të Lulzim Bashës.
“Lulzim Basha, ta dinë të gjithë shqiptarët është një gabim njerëzor”,- thotë Patozi.
Nga ana tjetër nuk përmbahet as Arben Imami.
“Kërriçit kur është kërriç, thonë mos i ngarko barrë të rëndë sepse i shtrembëron kurrizin! Lulzim Basha është i gjithi i pavlefshëm nuk është i njëanshëm, ka humbur një palë zgjedhje, ka humbur një palë zgjedhje, ka humbur një palë zgjedhje, janë tre palë zgjedhje që ka humbur”,- ka thënë Arben Imami.
Bashkëngjitur videos, Rama ka shkruar se këto reagime janë të ashpra dhe në mënyrë ironizuese, i ka dalë në ‘mbrojtje’ Bashës.
“Jo kaq ashpër ju lutem. I ka dreqi këto që thoni, po s’është çun i keq”,- shkruan Rama.