“Ilir, mos e pengo Vlorën, nuk është ledh i LSI-së”, ministrja sqaron publikisht procesin e huamarrjes për projektin në Vlorë-Orikum

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj i është përgjigjur Metës në lidhje me projektin e rindërtimit në segmentin Vlorë-Orikum duke i sqaruar hapat që janë marrë për procesin e huamarrjes.

Në videon live të ministres Denaj, të pasqyruar në ERTV, jepet mesazhi direkt për Metën ku thuhet: “Mos e pengo Vloren Ilir, sepse Vlora s’është ledh i LSI-së, po është konaku i Shqipërisë.”

Projekti financohet nga Fondi Saudit dhe është bllokuar nga Presidenti Meta.

Deklarata e ministres:

Sot në vijim të informacioneve dhe qëndrimeve të zotit Meta, dua të sqaroj opinionin publik se Ministria e Financave ka ndjekur me përpikmëri hapat e nevojshëm që rregullon procesin e huamarrjes në Republikën e Shqipërisë. Proceset e huamarrjes janë një praktikë 30 vjeçare e Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë

Presidenti është informuar për dy shkresa në lidhje me procesin e huasë, termin negocim dhe arsyet e ndryshimeve të kërkuara. Në frymë të transparencës dhe informimit si obligim institucional ndaj publikut për ndryshimet infrastrukturore, sqaroj se nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrimi financiar të ri për Republikën e Shqipërisë jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave financiarë të akorduar më parë. Ky është një rialokim i një detyrimi të siguruar më parë nëpërmjet një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvend me ligj të vecantë. Ajo që kërkohet të arrihet është që me të njëjtin fond dhe burim financiar të negociuar sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore të realizohet një projekt tjetër infrastrukturor në të njëjtin qark.

Dakordësia e palës audite për të ndryshuar objektin e financimit, por jo termat, as shumën, as normën e interesit e as kohën, u realizua në muajin Gusht dhe i hapi rrugë dy proceseve paralele. Së pariu, fillimin e procesit për të ratifikuar në parlament këtë ndryshim si obnjekt i një ndryshimi infrastrukturor dhe anulimin e një objekti investimi të mëparshme, i cili në termin juridik quhet denoncim marrëveshje dhe është ratifikuar në parlamentin shqiptar në 17 Shtator të vitit të kaluar.

Ku qëndron kundërshtia me Kushtetuesen? Në frymë, gërmë apo qëllim? Në asnjë nga këto. Në frymë e qëllim, është i lexueshëm, është nevojë për të rritur investimet infrastrukturore, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik në gërmë. Rasti përbën zbatim të instrumentave ligjor.

Sqaroj zyrën e Presidentit se vetëm në kushtet që projekt marrëveshjet e propozuara përmbajnë parashikime të caktuara, për të cilat institucionet përgjegjëse nuk janë dakord me kushtget bazë të një marrëveshje financiare, vetëm në këto raste ngrihen grupet negociatore, duke u kërkuar lëshimin e autorizimit nga Presidenti/Kryeministri me qëllim dhënien e plotfuqisë për negocim nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Fakti që ligji 43/2016 nuk e konsideron realizimin e procesit të negociatave, si një fazë të detyrueshme për t’u ndjekur për çdo kategori marrëveshje ndërkombëtare, konfirmohet  në rastin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, të cilat edhe vetë Presidenti i ka dekretuar. Për ta konkretizuar përmendim rastet:

Ligji nr. 157/2020 “Për ratifikimin e  marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë si huamarrës, Bankës së Shqipërisë si agjent për huamarrësin dhe Bashkimit Evropian si huadhënës, për ndihmën makro-financiare për Shqipërinë”, në të cilat është vepruar në të njëjtën mënyre dhe Presidenti ka firmosur.

Ligji nr. 47/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës”.

Për këto marrëveshje mes palëve NUK janë zhvilluar negociata, palët janë dakordësuar dhe nevoja për grup negociator nuk ka qenë e nevojshme. Kjo shkresë konfirmon (paraqitur në monitor) përsëri firmën e zotit President  në përputhje të plotë ligjore për të lëshuar autorizimin, sikurse në rastin konkret kërkojmë prej disa muajsh.

Por Presidenti, për të mbështetur arsyet e refuzimit të kërkesës për autorizimin e plotfuqisë për këtë procedurë ligjore, interpreton në mënyre jo të bazuar zbatimin e procedurës së negocimit që sipas tij nuk është kryer sipas parashikimeve ligjore.

Dhe jo vetëm kaq, por mbi këtë argument ngre akuza për mashtrim, kundërshti me kushtetutën të panevojshme për t’u përsëritur sepse nuk është ky qëllimi i qeverisë. Në të njëjtin stil, Presidenti tenton të paraqesë si një veprim arbitrar dhe diskriminues anulimin e marrëveshjes ekzistuese për projektin e Lumit të Vlorës.

Kërkoj të sqaroj opinion publik se, nevoja për të ndryshuar objektin e investimit lidhet me një arsye të vetme, maksimizimin e një procesi huamarrjeje në investime infrastrukturore.

Analiza e vlerësimit të projektit të parë të Lotit 4 të rrugës së Lumit të Vlorës, e kryer nga autoriteti përgjegjës Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili nxori një vlerë më të lartë, se sa vlera e huas dhe vetë projektin e parë jo ekonomik.

Në këto kushte, deri sa të përgatitej një projekt i ri më ekonomik,  u rakordua mes institucioneve përgjegjëse, kalimi i fondeve tek një projekt po aq i rëndësishëm për zonën.

Kryeministri Rama edhe me herët ka u premtuar banorëve të Selenicës që, infrastruktura në këtë zonë do të realizohet. Kërkoj pak durim, por premtimi do të mbahet.

Prandaj, përfitoj nga ky rast për të siguruar popullin e Vlorës dhe Selenicës se projekti i ri ekonomik është gati dhe FSHZH është në fazën finale për ta rakorduar financimin e tij.

Kujtoj të gjithë banoret e zonës se pas shumë vitesh gati 30 vjet po bëhet realitet një investim infrastukturor që do lidh gjithë zonat malore me bregdetin.

Lidhja e Tepelenës me Bregdetin e Jugut po realizohet aktualisht përmes Rrugës Gusmar-Kuç dhe Rrugës Bënçë – Let-dush, që financohen në kuadër të Programit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale me mbështetjen e Bankës Botërore.

Kjo rrugë, e cila do të sigurojë lidhjen më të shkurtër dhe më të shpejtë të Tepelenës dhe të zonave të tjera të juglindjes me rrugën e Lumit të Vlorës dhe daljen më bregdet, është një potencial i madh për zhvillimin e jetës ekonomike në këto zona.

Ndërlidhja e kësaj infrastrukture me projektin e ri infrastrukturor ne zonën e  Selenicës do finalizoje një premtim të mbajtur të qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Së fundmi, gjej rastin të falënderoj Fondin Saudit për Zhvillim dhe partnerët e tjerë të zhvillimit, të cilët përgjatë gjithë viteve, por edhe në një vit të veçantë dhe të vështirë si ai që kaluam, na u gjenden pranë në me mbështetje financiare, e cila ka qenë e domosdoshme për të siguruar financim për nevojat tona, jo vetëm në aspekt të shpenzimeve, por edhe për të mos ulur investimet publike, të cilat janë shumë të nevojshme, që në vitin 2021 pritet të japin një kontribut në rritjen ekonomike.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT