“Mos kurse as shpirt as gjak”/ Meta kujton 21 janarin e Kongresit të Lushnjës me apelin: Atdheu po të thërret

101 vite më parë u mbajt Kongresi Lushnjës. Një ngjarje historike që bëri bashkë njerëzit dhe patriotët e kombit për t’i bërë ballë kërcënimeve që i kanoseshin Shqipërisë asaj kohe.

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar këtë ngjarje duke vlerësuar aktin e misionin e Kongresit për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Presidenti njëherësh i cilëson si aktuale vargjet e Këngës së Kongresit të Lushnjës, ku i bëhet thirrje shqiptarëve se atdheu po i thërret, mos kurseni as shpirt e as gjak.

“Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë do të ishte venitur.
Nderim përjetë burrave të kombit, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, të pavarur dhe sovran, vepra e të cilëve u përjetësua në vargjet përherë aktuale”, shkruan presidenti në postimin e tij.

Reagimi i plotë

Uniteti rreth çështjes kombëtare, mblodhi 101 vjet më parë në Lushnjë, apostujt e shqiptarisë, për të marrë vendimet më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe rimëkëmbjes së shtetit modern shqiptar.

Vetëm disa ditë iu deshën burrave të ndritur të kombit, që të bashkuar në Kongresin e Lushnjës, të garantonin pavdekshmërinë e shtetit, të ndërtonin një Parlament dinjitoz e të ligjshëm, të nxirrnin akte kushtetuese efikase, të zgjidhnin një Qeveri të përgjegjshme, të vendosnin ligjin në të gjithë territorin dhe të prezantonin me dinjitet Shqipërinë përpara botës.

Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë do të ishte venitur.
Nderim përjetë burrave të kombit, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, të pavarur dhe sovran, vepra e të cilëve u përjetësua në vargjet përherë aktuale:

“Atdheu ty po të thërret,
Ta shpëtosh ti nga kjo natë.
Sikur tym e flakë të dal nga faqe e dheut,
Shkrepëtim të bjerë e flakë,
Bëj detyrën që ke kundrejt Atdheut,
Mos kurse as shpirt as gjak.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT