Ndërtimi i spitalit në Fier nga Erdogan, pronarët kundërshtojnë çmimin e shitjes së tokës

Një pjesë e banorëve të fshatit Daullas në Fier kanë kundërshtuar ditën e sotme vendimin e qeverisë për ndërtimin e spitalit rajonal në tokat e tyre. Disa prej tyre janë pro ndërtimit dhe disa të tjerë e kundërshtojnë këtë plan.
Sipas korrespodentit të Top Channel në Fier, janë 10 familje që preken dhe nuk janë dakord me çmimin prej 260 lekësh për metër katror.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i premtoi kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Ankara, se më 7 prill spitali rajonal i Fierit do të jetë gati.
Më 9 janar, Rama shkoi në Fier për të caktuar vendin ku do të hidhen themelet e spitalit të ri.
Ai tha se për një periudhe kohe te pacaktuar, spitali i Fierit do të administrohet nga një staf turk e me pas kompetencat do i kalohen drejtuesve shqiptarë. Rama theksoi se pas përcaktimit të zonës, me pronaret e tokës do lidhet marrëveshje për shpronësimin e tyre.