Ngjela: Ja çfarë e ka penguar zhvillimin në vendin tonë
Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se pjesa dërrmuese e pushtetarëve aktualë dhe ata të qeverisë së mëparshme janë zhytur në aferë. Duke marrë shkas nga zhvillimet në SHBA dhe Rusi, avokati ka hequr një paralele me situatën në Tiranë. Sipas tij me ardhjen e Joe Biden në krye të SHBA, reforma në drejtësi do të marrë një tjetër hov dhe shpresat janë që do të ndëshkohen të korruptuarit.
“Po Shqipëria ku ndodhet? Shqipëria, në fakt, aktualisht është e pushtuar nga korrupsioni antihistorik kombëtar i pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve. Por tani, në këtë kohë demokratike që vjen si forcë dhe si doktrinë e re nga Uashingtoni politik, këta uzurpues dhe përvetësues të vlerave materiale shqiptare dhe që janë njëherësh edhe shitës të degraduar të interesit kombëtar, nuk kanë më asnjë shpresë.
Por, a do të dorëzohen? Nuk mendoj për një akt dorëzimi të tyre, por për fillimin e procesit ligjor antikorrupsion, i cili do të drejtohet me shumë forcë nga politika e re amerikane për rivlerësimin demokratik të Ballkanit Perëndimor”, tha Ngjela në rrjetet sociale. Avokati ka përmendur në statusin e tij edhe situatën në Rusi. Sipas tij atje kanë nisur revoltat kundër Putin për shkak të ndryshimeve në SHBA.
“Në Rusi filluan revoltat e mëdha anti-Putin. Shenjat janë se do të zmadhohen, sepse e tillë ka ardhur koha. Gjithçka lidhet me rrëzimin e Donald Trump-it në Uashington, sepse psikologjia e intelektit të lartë rus e dinte që ish-presidenti amerikan Donald Trump, kishte ardhur në pushtet nga shërbimi inteligjent rus.
Po presidenti Joe Biden, a do të influencojë për rrëzimin e carit të fundit rus Vladimir Putin? Analitika demokratike perëndimore mendon se Biden do të ndihmojë në këtë çështje. Dhe, me një gjykim normal politik, sigurisht që është e pranueshme se, me influencën e Joe Biden-it, Perëndimi do të ndërmarrë hapat e veta për të rrëzuar Vladimirin e Dytë tiran të Rusisë, që i takon të jetë cari i fundit i saj. Shenjat po janë të mira. Gjithçka po shkon drejt demokracisë dhe mendimit integral për drejtësi shoqërore”, tha ai.
Lufta ndaj korrupsionit
Ndërkohë, sapo Biden mori detyrën si president, avokat Ngjela u shpreh se politika amerikane nuk e ka kuptuar ende që të gjithë liderët e korruptuar nuk duan t’ia dinë për pushtetin, por duan të shkallmojnë reformën në drejtësi me qëllim që të mos iu preken pasuritë. Sipas Ngjelës këtyre krahëve politikë mjafton t’u shpëtojnë pronat dhe paratë nga reforma dhe akuzat e ngritura nga SPAKU.
“Politika amerikane nuk e ka kuptuar që i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri është i bashkuar kundër reformës antikorrupsion? Po pse janë bashkë? Çfarë po e bashkon krimin shtetëror të dy krahëve të politikës, në Tiranë? Nuk janë bërë bashkë për pushtet. Të gjithë liderët e korruptuar duan të shkallmojnë reformën në drejtësi, dhe as që duan t’ia dinë për zgjedhjet dhe pushtetin mes tyre, se nuk ka rëndësi për ta kush e ka pushtetin, mjafton që të shpëtojnë pronat dhe paratë nga reforma dhe nga akuza që duhet t’u ngrejë SPAK-u”, tha Ngjela.
Avokati u shpreh se i gjithë sistemi korruptiv ka penguar zhvillimin në vendin tonë. Sipas tij kjo është dhe arsyeja pse Shqipëria nuk ka një sistem demokratik të mirëfilltë, sepse korrupsioni nuk e ka lejuar asnjëherë të kthehet në një sistem të drejtë në votime. Ngjela u shpreh se pa patur një pushtet gjyqësor të pavarur gjithmonë do të ketë korrupsion.