Ngjela: Me ardhjen e Biden, Moska nuk do të ketë më frymëmarrje në Tiranë. Pas 20 janarit nisin…
Avokati Spartak Ngjela e ka cilësuar si një lajm pozitiv zyrtarizimin e Joe Biden si president. Në një prononcim për gazetën “SOT” ai tha se, me Biden si president Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Amerika.
Ndërsa deklaroi se do përforcohet lufta kundër korrupsionit, Ngjela tha se ardhja e Biden do bllokojë ndërhyrjet e Moskës në vendin tonë. Pikërisht kjo do t’i tremb më tepër të korruptuarit, sepse nuk do të kenë më mbështetje nga jashtë.
“Politika amerikane është zotuar dy herë që do ta eliminojë korrupsionin shtetëror në Tiranë, fakti që pati disa zbehje në funksion të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, do shohim në vazhdim se do ketë vrull sepse e dimë që e gjithë shpresa e korrupsionit të lartë shtetëror i të dy krahëve ka qenë te Moska dhe deri diku te Beogradi. Tani Moska nuk do të ketë më frymëmarrje në Tiranë me ardhjen e Biden në pushtet në SHBA”, deklaroi avokati.
Ngjela tregoi se, ndryshimet e dukshme në luftën antikorrupsion dhe ndëshkimet ndaj politikës së lartë do të nisin pas 20 janarit kur dhe Biden merr detyrën. Kjo për faktin se Biden do ndikojë drejtësinë që pati nisur më parë dhe se ambasadorja Yuri Kim bashkëpunon me Biden për këto ndryshime në Tiranë. Sipas tij, tashmë edhe shqiptarët janë të vetëdijshëm që vendi është degraduar në këtë gjendje prej korrupsionit në politikë, prandaj shumë shpejt do të shohim risi në luftën kundër korrupsionit.
“Përfundimisht mund të them që, menjëherë pas 20 janarit do të shikojmë ndryshimin e madh, dhe nuk është aspak gabim ta them. Sepse, sipas informacionit tim, ambasadorja aktuale në Tiranë, Yuri Kim ka qenë një bashkëpunëtore shumë e ngushtë administrative në Administratën e Biden, ky është fakt. Për faktin që ndodhemi përballë një situate të tillë, do ketë risi të mëdha në politikë në funksion të luftës antikorrupsion. Shqiptarët në rast se nuk e kuptojnë që e gjithë gjëma ka ardhur nga korrupsioni 25-27 vjeçar i qeverive shqiptare, nuk kanë kuptuar asgjë. Mirëpo besoj se shqiptarët e dinë shumë mirë që e gjithë fatkeqësia e tyre është korrupsioni shtetëror”, u shpreh Ngjela.
Biden tremb të korruptuarit
Më tej, Ngjela tha se as kryeministri Rama nuk mund t’i shpëtojë ndikimit të Biden në Tiranë. Madje tani qeveria dhe të tjerët nuk do mund ta zvarrisnin më reformën në drejtësi pasi në të kundërt do të përballen me politikën amerikane, nga ku nuk mund ta shpëtojë asnjë bashkëpunim me qeveri të tjera.
“Por shenjat janë që kryeministri shqiptar nuk e di se çfarë do bëjë, nëse do ta vazhdojë reformën në drejtësi apo nuk do ta vazhdojë. Në qoftë se kryeministri shqiptar nuk e vazhdon reformën dhe do ta dredhë siç ka bërë deri me tani me një dritëhije, nuk do të ketë lëshime me presidentin Biden. Dhe as mos i shkojë mendja kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se mund ta zbusë problemin e presionit amerikan nëpërmjet presidentit turk Erdogan apo marrëdhënieve me Turqinë që s’ka asnjë vlerë për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Sipas avokatit, Biden do jetë një e mirë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ngjela tha më tej se edhe të korruptuarit në Kosovë do të ndëshkohen nga lufta kundër korrupsionit, pasi Biden do vazhdojë të këmbëngul më shumë në planin e tij për të sjellë drejtësi në Ballkanin Perëndimor, duke parë që në këto vite popullit i janë shkelur të drejtat nga pushteti.
“Kanë një fat të madh shqiptarët në Ballkanin Perëndimor sepse Biden ka qenë një nga figurat kryesore për pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e kosovarëve dhe për të gjithë marrëdhënien që duhet të kenë shqiptarët në Perëndim, pasi i ka konsideruar një popull që u janë marrë të drejtat në shekuj. E gjithë kjo dhe e gjithë veprimtaria e Biden që ka bërë për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor rrit shumë shpresën, madje jo vetëm shpresën, por përforcon faktin që politika amerikane në Shqipëri do të vazhdojë të jetë prezente me fuqi akoma më të madhe”, tha ai.