Nis sot vaksinimi anti-Covid/ Manastriliu: Kush do vaksinohen të parët

Nis sot procesi i vaksinimit anti-Covid në vendin tonë. Në një konferencë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tregoi grupet që do të vaksinohen të parët.
Ministrja bëri të ditur se fillimisht do të vaksinohet stafi mjekësor, por edhe këtu do të ketë një prioritizim, duke nisur fillimisht me stafin e spitaleve Covid dhe më pas me personelin mjekësor në reanimacione e urgjenca.
”Më lejoni t’ju bëj prezent planin e vaksinimit. T’ju prezantoj me punën intensive të bërë nga ekspertët, gjithashtu dhe nga dy komitetet e vaksinimit dhe imunizimit. Këto komitete kanë ekspertët më të mirë të imunizimit, kanë bërë një ekspertizë të imtësishme. Kanë studiuar planet, parametrat dhe sigurisht në bazë të standardeve më të mira kanë bërë planin. Përfshin disa aspekte.
Prioritet grupet që vaksinohen
Personat në përballje të përditshme me COVID-19, punonjësit e shëndetësisë, mjekët, infermierët, epidemiologët, urgjenca. 23 mijë bashkë me personelin mbështetës, mjekët e infermierët do jenë të parët që do vaksinohen. Vaksinimi i tyre fillon sot, dhe do shtrihet sipas kapaciteteve.
Punonjësit në reanimacion, urgjenca e më tej.
Prioritarë janë personat e moshuar dhe ato me probleme shëndetësore, ku në fazën e parë planifikojmë punonjësit shëndetësorë, por kemi vaksinim të kombinuar. Të jemi shumë specifikë në ato grupe që kanë nevoja urgjente. Planifikojmë që personat në azile dhe kujdesit shëndetësor të vijojë vaksinimi paralelisht.
170 mijë persona, të moshuarit mbi 75 vjeç.
Vaksinimi do të bëhet në qendra të posaçme. Kemi bërë këto post-stacionet. 60 poste vaksinimi vetëm këtu, që kanë parashikuar të gjithë elementët e sigurisë e cilësisë, bashkë me vaksinatorët. Kemi marrë masat që të gjithë vaksinatorët të jenë të trajnuar për Pfizer/BioNTech.
Pikat tona të vaksinimit, do të vijojnë në Shkodër e Vlorë. Mbi bazën e vlerësimit vlerësojmë se në disa muaj do përfundojmë vaksinimin e grupeve prioritare. Në arenën kombëtare prej mbi 60, sipas asaj që nevojitet.
Nuk do të ketë vetëm në Tiranë, Shkodër, Vlorë e më tej. Do të ketë kartë vaksinimi, që do të ketë të gjitha të dhënat”, tha Manastirliu.