Nje tjetër i larguar nga LSI për t’iu bashkuar PS-së, flet Elez Gjoza: Kryemadhi nuk e bën dot punën e “gladiatorit” Meta, bashkimin me PD-në e shikoj si tradhti

Elez Gjoza kryetari i federatës së peshëngritjes u largua nga LSI për t’iu bashkuar Partisë Socialiste disa javë më parë.
Ai ka folur edhe për arsyet që e çuan drejt këtij vendimi, duke thënë se largimi i Ilir Metës pasi u bë president dhe koalicioni me PD-në e dëmtuan LSI-në, ku nga radhët e saj u larguan disa figura të njohura të partisë.
Gjoza u shpreh në Report Tv se Kryemadhi nuk mund ta bëjë punën e Ilir Metës, për të cilin thotë se është një gladiator i politikës.
“Dua të them se Ilir Meta është një gladiator politik, një njeri që për politikën jep shumë dhe është shumë punëtor. Ikja e Ilir Metës ka dëmtuar LSI-në. Nuk kam gjë me Kryemadhin, por kurrsesi nuk mund të bëjë punën e Metës. Me marrjen e partisë nga Kryemadhi, LSI ka rrjedhje te vazhdueshme , mënyra e menaxhimit nuk është ajo që prodhonte Ilir Meta. LSI në 2009 iu bashkua PD dhe për mua ka qenë një lëvizje jo e miratuar nga unë dhe dëshiruar, por unë aq pozicion kisha. Në shpirtin tim nuk e kam miratuar, u quajt që u bë për hir të stabilitetit dhe kombit. Këtë koalicion për herë të dytë nuk e përtypa dot, unë jam i majtë dhe për këtë u bëra pjesë e PS. Nuk jam joshur në asnjë formë nga PS për t’u bërë pjesë e saj.
Kam punuar për 2 vjet me zotin Veliaj dhe kam parë që punon 24 orë dhe pasi kam parë punën që ka bërë Basha ndryshimi është shumë i madh. Jo se sot jam te PS, s’po e them për këtë. Nuk them se Basha flinte gjumë në çdo moment, por vendimet i kishte në mënyrë të zvarrët dhe të avashtë”, tha Gjoza.