Oboti i izoluar, Rama: 24 orët në vazhdim do të jenë më problematike, do fusim forca ekstra me ushtri për të shmangur dëmet (VIDEO)

Oboti është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Shkodër. Kryeministri Rama i ndodhur atje, tha se situata edhe pse ka problematikë, është mjaft e ulët krahasuar me vitin 2010 ku me mijëra hektarë tokë e deri në qytetin e Shkodrës ishin të përmbytura nga uji dhe detyruan 10 mijë veta të evakuoheshin.
Rama shtoi se në ndryshim nga 2010 ku uji qëndroi për disa ditë, me pastrimin e kanaleve, me pushimin e reshjeve uji do të tërhiqet vetë në një kohë të shkurtër.
Kryeministri bëri të ditur se nuk ka kosto në bagëti dhe se ushtria u ka ardhur në ndihmë familjeve të kësaj zone me 400 pako ndihma ushqimore apo nevojat që kanë pasur.
‘Jemi në një situatë që mund ta konsiderojmë në kontroll duke përjashtuar zonën E Obotit që gjithmonë ka qenë problematike dhe e paevitueshme. Ajo që më shqetëson është se reshjet intensive do të vijojnë në këtë zonë dhe nga ana kaskadës nuk ka shkarkime që përkeqësojnë përmbytjet në zonë, nuk ka banesa të dëmtuara, s’ka bagëti të dëmtuar dhe lëvizshmëria ka qenë e garantuar. Aty ku kemi bllokime do të fusim forca shtesë me ushtri e mjete lundrimi që t’u përgjigjemi të gjitha kërkesa edhe nevojat. Janë rreth 400 pako që kanë shkuar në familjet që kanë pasur problematikë. Në 2010 janë evakuuar 10 mijë veta dhe i kanë çuar në konvikte dhe palestra dhe uji ka qenë prezent me ditë të tëra. Sot me pushimin e reshjeve uji fillon e tërhiqet për shkak të kanaleve kulluese”, tha Rama.
Në terren, sipas ministrit të Mbrojtjes, Peleshi janë 54 forca të Vaut të Dejës, 13 mjete ushtrie dhe nëse është e nevojshme mund të vihen në dispozicion edhe mjete lundruese.
Kryeministri Rama u shpreh se situata vijon të jetë në kontroll dhe se dëmet janë minimale. “Orët e ardhshme priten të ketë reshje shumë intensive në zonën e Shkodrës, që krejt ndryshe nga përmbytja e frikshme e janarit 2010, kur me më pak reshje se këtë herë u evakuuan nga banesat mbi 10 mijë njerëz e mijëra krerë bagëti dhe qyteti u bllokua plotësisht nga uji, si rezultat i menaxhimit kriminal të kaskadës së Drinit e i bllokimit total të kanaleve kulluese.
Sot situata vazhdon të jetë nën kontroll dhe dëmet janë minimale, pikërisht sepse është punuar vitet e fundit me zhbllokimin e kanaleve kulluese si edhe menaxhimi i kaskadës po bëhet me profesionalizëm të lartë”, shprehet Rama.