Parlamenti grek e nis vitin 2021 me projektligjin për zgjerimi me 12 milje në detin Jon

Mediat greke bëjnë me dije se projektligji i parë në parlament për 2021 është ai për zgjerimin e 12 miljeve në detin Jon.
Në parlamentin grek do të diskutohet dhe do të votohet për të miratuar si projektligj të parë për këtë vit, atë të zgjerimit nga 6 deri në 12 milje të ujërave detare në detin Jon.
Lajmin e publikon gazeta “To Vima” e cila duke ju referuar burimeve qeveritare thekson se projektligji në fjalë është një mesazh i qartë dhe i fuqishëm ndaj Ankarasë.
Nuk është sqaruar nëse me fillimin e punimeve të parlamentit në 11 janar, ky projektligj do të ratifikohet me procedurën urgjente.
Pak javë më parë Këshilli i Lartë i Shtetit ka miratuar vendimin që e lejon shtetin fqinj të zgjerohet në hapësirën në zonën veriore të detit Jon, deri në Kepin e Tenaro në Peloponez.
Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon, hapin rrugën për hartimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.